Kryeministri Rama u shpreh se nuk e ka marrë personale mungesën e ftesës në drejtim të tij nga homologu grek Mitsotakis, për darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, më herët gjatë kësaj jave në Athinë, ku ishin të pranishëm dhe presidenti Zelensky dhe disa nga drejtuesit e BE.
Në një intervistë për të përditshmen greke, Kathimerini, kreu i qeverisë u shpreh se kur bëhet fjalë për politikë, nuk i merr gjërat personale, teksa shtoi se një veprim të tillë nuk do ta bënte kurrë ndaj Mitsotakis.
“Nuk e marr kurrë personale, kur bëhet fjalë për politikën, për gjëra që ndodhin e që mund të jenë të pakëndshme për ty a që mund të të bëjnë të ndihesh keq. Sepse, tek e fundit, politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai) e as nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë. Madje, për më tepër, mendoj se qëllimi i takimit dhe e nismës që ndërmori Qirjakosi lidhet me diçka shumë të madhe shumë të madhe.
Kështu, të lidhësh këtë qëllim kaq të madh, të lidhësh një nismë kaq të rëndësishme me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështjeje, që e dimë të gjithë se me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se, sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme midis miqve, miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin, të përpiqen të kuptojnë, ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq. Qirjakosi ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja, e vazhdon të jetë një mik që e pëlqej dhe e respektoj”, u shpreh Rama.