Myrto Uzuni refuzon të stërvitet te Granada në Spanjë. Sulmuesi i Kombëtares kërkon rritje page dhe siç bën me dije Marca ai ka refuzuar të dalë në stërvitje, gjë që e konfirmoi edhe trajneri i ekipit.
Kjo situatë vjen në një kohë kur beratasi është i shumëkërkuar në merkato dhe një ofertë nga FC Austin në MLS (SHBA) duket se ka tunduar 29-vjeçarin.
“Kur u kthyem nga pushimet ai erdhi dhe tha se nuk e shihte veten në gjendje të stërvitej dhe nëse nuk stërvitet nuk ka rëndësi. Ai vazhdon me atë pozicion që nuk dëshiron të stërvitet me skuadrën, nuk mund të detyroj askënd të stërvitet dhe nëse nuk e bëjnë, nuk e llogaris”, tha Fran Escriba, trajneri i Granadas.
Uzuni është i lidhur me Granadan deri në verën e 2026 dhe këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe dhuruar një asist në 18 ndeshje. Këto shifra e kanë kthyer Uzunin në lojtarin më të mirë të Granadas dhe sulmuesi theu edhe rekorde duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në histori.
Duket se Uzuni kërkon terma të reja dhe rritje page në kontratë, gjë që ka sjellë edhe refuzimin e tij për stërvitje. Në të tilla kushte palët duhet të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme.
5 milionë euro vlen në treg Uzuni, me Granadan që e bleu për 4 milionë euro në janarin e 2022 nga Ferencvaros në Hungari.