“Na është shuar dielli…”, Bora tregon sëmundjen dhe dëshirën e të atit

AKTUALITET


Vajza e aktorit të ndjerë Xhevdet Ferri, i cili u nda nga jeta dy ditë më herët, përmes një postimi në facebook shkruan se babai i saj luftoi dhe e mundi me sukses sëmundjen e rëndë, por jetën ia mori një insuficiencë  pulmonare. Ndërsa lidhur me faktin që për të nuk u zhvilluan homazhe publike, Bora shkruan se kjo ka qenë dëshira e tij dhe kjo nuk ka lidhje me asnjë qëndrim politik.

“Dy fjalë në ditën më të zezë të jetës sime dhe të mamit. Ndjej që duhet të sqaroj arsyen e ndarjes nga jeta të babit, për efekt qartësie të informacionit. Është e vërtetë që ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, të cilën e kishte mposhtur me sukses. Arsyeja fizike pse na la ishte një insuficiencë e rendë pulmonare, të cilën nuk mundi ta mposhtte. I provuam të gjitha, pa pishman!

Ndërsa për sa i përket çështjes së homazheve publike…Xhoda shquhej për diskrecion në jetën e vet. Vullneti i tij ishte që dhe në jetën e përtejme t’i prezervohej ky diskrecion. E kuptojmë dhe vlerësojmë që dashamirës të tij janë të dhembur për shkak të largimit të tij, por ne gjykojmë se dhimbja është personale dhe duhet vuajtur si e tillë. Nuk ka të bëjë me arsye zhgënjimi prej sistemit apo politikës – nuk është as rasti dhe as koha për refleksione të tilla.

Neve na është shuar drita e diellit mbi shtëpi, nuk mendojmë për perceptime publike apo politike”, shkruan Bora.

Aktori Xhevdet Ferri u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare, por kontributi i tij në kinematografinë shqiptare do të vijojë të kujtohet nga të gjithë.



Skip to toolbar