Naftë dhe gaz, pse efekti i luftës me Iranin mund të jetë një mundësi e artë për Putinin

BOTA


Vladimir Putin nuk ka humbur kohë për të shfrytëzuar situatën e krijuar në tregjet e energjisë gjatë fundjavës.

Ai ka zhvilluar biseda me princin saudit Mohammed bin Salman, me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani, me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al-Nahyan dhe me mbretin e Bahreinit, Hamad bin Isa Al-Khalifa. Janë drejtuesit kryesorë të vendeve që dominojnë OPEC.

Një ditë më parë, OPEC kishte vendosur rritjen e prodhimit të naftës me rreth 0.3% të kërkesës botërore. Por kjo sasi nuk pritet të dalë realisht në treg, për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Si pasojë, nuk do të ketë efekt në frenimin e rritjes së çmimeve.
Nafta ruse

Rusia ndodhet në një situatë tjetër. Nuk mund të rrisë prodhimin, pasi impiantet e vjetruara po e ulin nxjerrjen nën 10 milionë fuçi në ditë, për herë të parë pas shumë vitesh
Megjithatë, Moska ka një flotë të madhe cisternash “hije”, me të paktën 150 milionë fuçi të magazinuara në det, në zona të ndryshme të botës.

Sanksionet kanë bërë që edhe rafineritë në Kinë apo Indi të tregohen më të kujdesshme në blerjet nga Rusia.

Mundësia që sjell lufta

Me naftën e saj të vështirë për t’u tregtuar politikisht, Putini e sheh konfliktin në Gjirin Persik si një mundësi për t’u paraqitur si stabilizues i tregjeve ndërkombëtare.

Mesazhi i Kremlinit, përfshirë ndaj Shteteve të Bashkuara, është i qartë: Lejoni shitjen e hidrokarbureve ruse për të zbutur rritjen globale të çmimeve dhe për të shmangur presionin inflacionist mbi votuesit në Perëndim.

Kirill Dmitriev, i dërguari i Kremlinit, e ka shprehur këtë qëndrim në rrjetin X.

“Është koha për të siguruar kontrata afatgjata për gaz natyror të lëngshëm rus, për të ndërtuar një bazë furnizimi të diversifikuar dhe të balancuar”, tha ai.

Ai ka ironizuar gjithashtu figurat kryesore të Brukselit, duke përmendur Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas, duke thënë se do të jenë të fundit në radhë dhe se politika e tyre ka sjellë pasoja negative.

Nyja e Katarit

Sipas të dhënave të qendrës studimore Bruegel, në janar Bashkimi Europian ka blerë katër herë më shumë gaz të lëngshëm nga Rusia sesa nga Katari.

Për këtë arsye, është paradoksale që ndërprerja e prodhimit nga Katari, pas goditjeve iraniane, ka ndikuar në rritjen e çmimeve të gazit në Europë.

Reagimi i tregjeve

Tregjet financiare i kanë reflektuar menjëherë këto zhvillime. Indeksi kryesor i bursës së Moskës është rritur me 1.3%, ndërsa tregjet e vendeve europiane importuese të energjisë kanë shënuar rënie.

Në rritje kanë qenë edhe bursat e prodhuesve të tjerë të naftës si Brazili dhe Kanadaja. Ndërkohë, është forcuar edhe tregu i Shangait, pasi Kina mbetet relativisht e mbrojtur nga pasojat direkte të konflikteve në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Sa do të zgjasë konflikti

Zhvillimi i mëtejshëm i çmimeve do të varet nga kohëzgjatja e luftës. Sa më i gjatë konflikti, aq më i madh destabilizimi. Aktualisht, operatorët financiarë duket se po llogarisin një përplasje të shkurtër.

Çmimi i naftës është rikthyer në nivelet e qershorit të kaluar, ndërsa gazi mbetet nën nivelet e një viti më parë.

Lëvizje të ngjashme u panë edhe gjatë luftës 12-ditore kundër Iranit në vitin 2025 dhe u normalizuan sapo përfunduan përplasjet. Megjithatë, se kur do të ndalet kjo krizë, aktualisht nuk mund ta parashikojë askush, përfshirë as Donald Trump.



Skip to toolbar