Nata e ndërrimit të viteve në qytetin e Vlorës nuk ka kaluar pa incidente. Një 60-vjeçar nga fshati Bishtan është lënduar rëndë, pasi i ka plasur kapsolla në dorë. Mësohet se si pasojë e shpërthimit, 60-vjeçarit i janë prerë tre gishtërinjtë. Ai është dërguar në spitalin e Vlorës, ku po merr mjekimin e duhur.
E njëjta situata është regjistruar edhe në Librazhd, ku djali 9-vjeçar i Behar Terziut, drejtorit të OSHEE-së në Librazhd është plagosur lehtë, pasi i ka plasur një kapsollë në dorë.
Në Shqipëri, janë të ndaluara me ligj lëndët piroteknike, ku nuk lejohet as tregtimi dhe as përdorimi i tyre nga qytetarët. Por ka ende persona që i tregtojnë ato në mënyrë të paligjshme, edhe pse kontrollet e policisë janë shtuar këtë periudhë festash.
Pas kontrolleve të bëra një ditë më herët, janë sekuestruar 347 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese, si dhe janë proceduar penalisht tre persona të dyqaneve. Uniformat blu thanë se 217 fishekzjarre u sekuestruan në Berat, 100 në Tiranë dhe 30 në Prrenjas.