NATO forcon mbrojtjen në Turqi – Vendos sisteme “Patriot” pas kapjes së raketës së dytë iraniane

BOTA


Turqia po forcon mbrojtjen e saj ajrore pas lëshimit të dy raketave nga Irani. “Si pjesë e masave përkatëse të NATO-s, një sistem mbrojtës raketor “Patriot” po përgatitet për dislokim në provincën lindore turke të Malatya-s”- njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Ankara duke theksuar se ky hap do të forcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore.

Sakaq presidenti Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, ku në qendër të diskutimeve ishin  zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë kapjen e një rakete të dytë iraniane që shkonte drejt Turqisë. “Shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë nuk mund të justifikohet për asnjë arsye:- tha Erdogan ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme kundër incidenteve të tilla.

Biseda telefonike u zhvillua me kërkesë të Pezeshkian, dhe erdhi pasi Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare tha të hënën se një raketë balistike e lëshuar nga Irani që hyri në hapësirën ajrore turke u neutralizua nga mjetet ajrore dhe të mbrojtjes raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor.

“Turqia po preket nga konfliktet në të cilat nuk është palë”- i tha Erdogan homologut të tij iranian, ndërsa shtoi se Ankaraja nuk mbështet ndërhyrjet ndaj Iranit dhe gjithashtu është kundër shënjestrimi të vendeve të Gjirit Persik nga ana e  Teheranit, për të cilat tha se nuk janë në interesin e askujt, ndaj sipas tij duhet të marrin fund.

Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën për të rihapur derën e diplomacisë dhe tha se Turqia ka punuar në mënyrë aktive për të ndihmuar në lehtësimin e angazhimit diplomatik në rajon.



Skip to toolbar