Ndahet nga jeta ish-deputeti i PD

AKTUALITET


Të premten pasdite është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ali Gripshi. Gripshi ka qenë një nga deputetët më aktivë të PD për Qarkun e Elbasanit, në vitet e para të Demokracisë.

Ai ka qenë në periudha të ndryshme një nga drejtuesit e institucioneve lokale dhe deri para disa kohësh ka mbajtur edhe postin e sekretarit të degës së PD për Peqinin. Gripshi mbante edhe titullin “Qytetar Nderi” i Peqinit.


Përmes një mesazhi në facebook, kryetari i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi Ali Gripshin një luftëtar të paepur për drejtësi shoqërore, si dhe shprehu ngushëllime për familjarët e tij. “Ali Gripshi ishte shembulli i qytetarit të angazhuar që për dekada me radhë u shndërrua në frymëzim për dije e respektimin e të drejtave të njeriut. Breza të tërë të qytetarisë së Peqinit u rritën me pedagogjinë e Ali Gripshit, me iluminizmin dhe atdhedashurinë që ai përçonte edhe në kohën e diktaturës, kur varfëria synonte tjetërsimin e njeriut dhe shndërrimin e tij në një skllav të regjimit.

Pas rrëzimit të diktaturës Ali Gripshi u rreshtua në vendin që meritonte dhe që i takonte. Me themelimin e Partisë Demokratike në Tiranë, ai ishte i pari në Peqin që mori teserën e PD, ishte drejtues i grupit nismëtar që krijoi degën e PD në Peqin dhe u zgjodh kryetari i parë i saj në Janar të 1991, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të parë Kombëtar të PDSH.

Me kontributin e Gripshit, forcat demokratike regjistruan një fitore të thellë në Peqin, duke e rreshtuar atë plot meritë ndër bastionet e PD-së. Si një kurorëzim normal i këtij angazhimi shoqëror, erdhi edhe zgjedhja e Ali Gripshit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 1996.

Mendimet dhe lutjet e mija janë me 3 vajzat e Aliut dhe të gjithë të afërmit dhe miqtë e Aliut. Me humbjen e tij të parakohshme, ato humbën babanë e tyre të shtrenjtë, familja njeriun e saj më të dashur dhe PD aktivistin e pashoq”, shkruan Basha.






Skip to toolbar