Regjistrohet viktima e katërt nga koronavirusi në Shqipëri. MSH bën me dije se gjatë mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.
Pas rëndimit të gjendjen gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
“Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”.
Mbrëmjen e djeshme humbi jetën edhe një 71-vjecar nga Kucova, i cili krahas koronavirusit, vuante edhe nga një sëmundje malinje. Po ashtu viktimat e tjera janë një 66 vjecar nga Lushnja dhe një 73 vjecare nga Durrësi. Tirana është qyteti me numrin më të madh të të prekurve, plot 63 raste, e ndjekur nga Fieri me 8 raste dhe Durrësi me 6 raste.