Kultivimi i kanabisit në malësinë e Krujës ka çuar në pranga nëntë persona, mes të cilëve edhe një efektiv policie, ndërsa gjatë operacionit për kapjen e tyre janë sekuestruar edhe disa armë zjarri, që përdoreshin për ruajtjen e parcelave.
Operacioni i koduar “Ndëshkimi” është eralizuar nga policia e Durrësit, në bashkëpunim me SHÇBA dhe me FLO, ku këto të fundit kanë bërë ekzekutimin e vendimeve penale për arrestimin e të dyshuarve. Policia e Durrësit tha se gjatë këtij operacioni, veç 9 të arrestuarve, ekzekutoi edhe 3 masa “detyrim paraqitjeje” si dhe sekuestroi 3 armë zjarri dhe 5 armë gjahu. Po ashtu u asgjësuan fidanë kanabisi në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të Krujës.
Policia tha se hetimi për këta persona ka zgjatur dy muaj me metoda speciale. Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për;
V. B., 50 vjeç, banues ne fshatin Mafsheq, Krujë.
R. B., 53 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Sh. X., 48 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë.
M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë.
K. K., 46 vjeç, banues në fshatin Selitë të rrethit Kurbin.
B. I., 26 vjeç, banues në fshatin Malbardhë të rrethit Kurbin.
H. P., 52 vjeç, banues në Krujë, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shqezë, Krujë, kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit F. B., 35 vjeç, banues në fshatin Halile, Fushë Krujë, të dy për veprat penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një personi me iniciale A. B., banues në fshatin Halile, Fushë Krujë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të rrethit Krujë.