Spiunazhi kinez, Balla: Të dëgjojmë SHBA për “5G”

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se Shqipëria dhe vendet e rajonit duhet të dëgjojnë këshillat e partnerëve amerikanë lidhur me investimet për rrjetin 5G. Vetëm pak ditë më herët ambasada amerikane shpërndau një artikull informues përmes të cilit apelonte që Shqipëria të bëjë kujdes dhe të mos pranojë investime kineze për rrjetin 5G për shkak të spiunazhit, pasi telefonia celulare në Kinë e ka detyrim të japë të dhëna tek agjencitë shtetërore kineze. Në këtë kuadër, Balla, i pranishëm në takimin vjetor të komisioneve parlamentare të sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Juglindore, tha se duhen dëgjuar këshillat e amerikanëve.

“Duhet të dëgjojmë partnerët tanë amerikanë kur bëhet fjalë për rrjetet 5G. Jo të gjitha kompanive që ndërtojnë këto rrjete mund tu besojmë të dhënat tona personale. Ndonjë prej tyre mund t’i përdorë për qëllime të tjera. Duhet të forcojmë legjislacionin dhe të rrisim sigurinë e sistemeve tona informatike”, tha Balla.

Sipas Ballës, krimi kibernetik duhet trajtuar me seriozitetin e duhur për shkak se prek drejtpërdrejtë sovranitetin e një vendi. Ai tha se për të parandaluar këto sulme, ai i ka paraqitur Kuvendit një projekt rezolutë për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe në shpërndarjen e materialeve dezinformuese.

“Për këtë qëllim për shkak se siguria e informacionit është thelbësore, duhet të punojmë më shumë për ndërgjegjësimin e përdoruesve të Internetit dhe rritjen e sigurisë në rrjetet shtetërore. Vetëm pak ditë më parë kam depozituar një Projekt-Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.

Në këtë Projekt- Rezolutë konstatojmë që Shqipëria është e predispozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe dezinformimin të cilat mund të ndikojnë në përbërjen e institucioneve të vendit dhe demokracinë tonë. Për këtë qëllim ndërmarrja e masave nga autoritetet përkatëse është e nevojshme për të siguruar që procesi demokratik, si dhe zgjedhjet, të mbrohen nga ndërhyrjet dhe manipulimet e aktorëve të huaj shtetërorë dhe jo-shtetërorë”, tha Balla në këtë takim.



Skip to toolbar