“Kreu i fondacionit kërkonte ndihma për tërmetin dhe i mbante për vete”

AKTUALITET


Policia e Fierit ka evidentuar një rast abuzimi nga një fondacion me qendër në Tiranë, ku punonjës të këtij fondacioni në qytetin e Fierit, krahas ndihmave për fondacionin, në mënyrë abuzive mashtronin njerëzit duke kërkuar ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti.

Drejtoria e Policisë së Fierit deklaroi se specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin Ajet Shira, 27 vjeç, banues në Tiranë. 27-vjeçari, duke qenë drejtues i një fondacioni me qendër në Tiranë, është autor i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim. “Ky person, në emër të fondacionit mblidhte ndihma për të prekurit nga tërmeti, por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto ndihma nuk kanë shkuar për të prekurit nga tërmeti, por në llogari të fondacionit të tij”, deklaroi policia.

Një ditë më herët, pranë një qendre tregtare në Fier, dy shtetase të fondacionit të tij janë kapur duke mbledhur vlera monetare për njerëzit e prekur nga tërmeti, duke mashtruar në emër të këtij fondacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.



Skip to toolbar