Tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Mes të arrestuarve janë dhe kryeinfermieri dhe Zëvendës shefi i komanduar i policisë.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve. “Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB
