Megjithëse mori dy plumba në atentatin e se premtes, prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja ka dalë nga reanimacioni dhe është lejuar të takohet me familjarët e tij, ndërkohë që në gjendje kritike për jetën vijon të jetë shoferi i tij Andi Maloku.
Prokurori Ndoja si pasojë e atentatit pati dëmtime të klavikulës por tani është në gjendje të stabilizuar dhe jashtë çdo rreziku.
Aktualisht ai vijon të jetë në spitalin e Durrësit ku ndodhet i shtruar miku i tij Landi Muharremi i njohur si ‘i forti’ i Sukthit, ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku, është shtruar tek Trauma.
Gjendja e Malokut vijon të jetë kritike për jetën. Ai marrë një plumb në mushkëri dhe një në shtyllën kurrizore. Ndërsa Muharremi ka një plumb në nofull dhe e ka të vështirë të flasë, ndaj dhe policia ende nuk ka marrë dëshminë e tij për atentatin.
Të tre personat u plagosën pasditen e së premtes në një atentat me armë zjarri në mbikalimin e Shkozetit. Prokurori Ndoja ka mohuar të jetë ai shënjestra e atentatit. Policia vijon hetimet për ngjarjen.