Bisedimet për ndryshimet klimatike nuk kanë qenë kurrë të lehta për shkak se shumë shtete nuk bien dakord në lidhje me masat drastike që duhen marrë për mbrojtjen e planetit. Edhe konferenca e që po mbahet në Madrid në lidhje me ndryshimet klimatike ka vijuar me debate, por pa arritur asnjë marrëveshje. Përplasjet kanë ndodhur mes përfaqësuesve të shteteve dhe organizatave ambientaliste. Këto organizata thonë se marrëveshja që kërkohet të arrihet me shtetet në fakt nuk sjell asnjë dobi në uljen reale të emetimit të gazrave që është jetike për të frenuar ngrohjen globale.
Ministrja e Ambientit të Kilit, Carolina Schmidt, që është mikpritëse e e bisedimeve dyjavore për Klimën në Madrid, ka bërë thirrje ndaj përfaqësuesve të rreth 200 shteteve që të pajtohen me marrëveshjen e propozuar. “Ne duhet t’ia dëshmojmë botës përpjekjet tona”, tha ajo.
Por, grupet ambientaliste kanë shprehur pakënaqësi nga propozimet e dhëna, duke theksuar se ato rrezikojnë mosrealizimin e përkushtimit sipas marrëveshjes së vitit 2015 në Paris.
“Unë kam marrë pjesë në negociatat për ndryshimet klimatike që nga fillimi i tyre më 1991, por nuk kam parë kurrë shpërputhje totale si këtu në Madrid, duke u bazuar në atë çfarë kërkohet me shkencë dhe asaj se çfarë po bëjnë negociatorët”, tha Alden Meyer, zyrtar i politi-bërjes në Bashkimin e Shkencëtarëve që merren me këtë çështje.
Meyer theksoi se ky propozim nuk reflekton në paralajmërimet urgjente nga shkencëtarët se emetimet e gazit duhet të bien dukshëm dhe se shpejti, për të arritur mbajtjen e ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius deri në fund të shekullit.
“Planeti po përfshihet nga zjarri dhe dritarja jonë që na mundëson të ikim po bëhet vështirë e arritshme për shkak të vonesave në ndërmarrje të masave”, tha Meyer.