Ndryshimet në Kod, Gjiknuri: Listat, me formulën e re janë në lojë 40 mandate

Më të fundit


Damian Gjiknuri, deputet i PS-së, dhe një nga hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në negociatat e zhvilluara me kolegun e PD-së, Oerd Bylykbashi, gjatë diskutimeve në sallën e Parlamentit, tha se ka një kakofoni sikur formula e përdorur për listat e kandidatëve po mbyll garën.

Gjiknuri tha se në 2021 vetëm 3 kandidatë thyhen herësin, ndërsa me formulën e propozuar janë rreth 40 mandate në lojë.

“Edhe sikur të kemi listat 100%, e dini sa mandate do të ndryshonin në renditje, referuar rezultatit të 2021? Vetëm 34 mandate dhe nuk do kishim garanci për kuotat gjinore. Me sistemin e hapur në lojë, duke respektuar kuotat gjinore, do të ishin në lojë 22 mandate. Ndërsa sot kemi në lojë 40 mandate. Pra miti i mbylljes së konkurencës rrëzohet me shifra”, tha Gjiknuri.

Në vijim deputeti socialist tha se në rastin e votës së Diasporës, ata që do të regjistrohen, do të fshihen nga qendrat ku ata figurojnë sot, dhe në këtë mënyrë do të mundësohet që ata të votojnë përmes procedurave që do të përcaktohen nga KQZ.

Gjiknuri tha se Kushtetuta jonë parashikon se votuesi ka dy vota: një për partinë dhe një për konkurrimin preferencial. “Kjo është mundësia e zgjedhësit për të korrigjuar listën e partisë. Në çdo sistem konkurojnë partitë dhe jo një grupe njerëzish që duan të dalin deputetë”, tha Gjiknuri.

Ai tha se nuk ka asnjë pazar Rama-Berisha, sikundër po tentohet të cilësohet drafti i dakordësuar. Gjiknuri tha se për dy vjet u bënë përpjekje për një kompromis sa më të madh politik, ndërsa hodhi dyshime se përgjatë kësaj kohe është tentuar nga përfaqësues të opozitës, që të miratoheshin propozime në kurriz të një pale tjetër po në opozitë.



Skip to toolbar