Ndryshimi i Kodit Penal për krime zgjedhore, Balla: Meta do e kthejë për interesin e opozitës

AKTUALITET


Ndryshimi i Kodit Penal për Krimet Zgjedhore dhe dhunën në protesta do të jetë një nga ligjet që pritet të kalojë në seancën e fundit paralmentare për këtë sezon, por pavarësisht parashikimit se projektligji do të miratohet nga mazhoranca, Balla shpreh bindjen se ato do të kthehen mbrapsht nga Presidenti Meta, pasi sipas tij, kreu i shtetit e ka mendjen vetëm për të dëgjuar se ç’thonë Luli, Monika dhe Saliu.

“Nuk kam dyshim që Ilir Meta do na i rikthejë për t’i votuar në Kuvend në shtator, nuk kam asnjë dyshim. Kur pashë që Presidenti i Republikës ktheu dhe ndryshimet në ligjin e vetëqeverisjes vendore që mundësojnë që më në fund në Shqipëri në organin e pushtetit vendor të ketë një zyrë, një njeri që kujdeset për çdo lloj halli që kanë 2 milionë shqiptarë që janë jashtë territorit të Shqipërisë. Nuk kam asnjë dyshim që Ilir Meta nuk ka më sy e veshë për të parë e dëgjuar se sa kanë nevojë shqiptarët. Ka vetëm sy e veshë për të dëgjuar ça do Luli, Monika e Saliu”, tha Balla. Megjithatë kreu i grupit socialist parlamentar deklaroi se këto ndryshime për shkak se Presidenti do i kthejë, do të rivotohen për të hyrë në fuqi.

Ndërkohë, veç krimeve zgjedhore, në Kodin Penal janë parashikuar ashpërsim dënimesh për armëmbajtje pa leje dhe për krime në fushën e mjekësisë.

Balla tha se do të ashpërsohet ligji për dhunën për shkak të detyrës, dhe më i ashpër do të jetë për dhunimin e mjekëve dhe punonjësve të policisë.

Po ashtu Balla tha se dënime do të ketë edhe lidhur me qetësinë publike, sigurinë shëndetësore, sigurinë ushqimore, mbajtjen e armëve pa leje dhe mbrojtjes së mjedisit.



Skip to toolbar