Ndryshimi i praktikës së masës së arrestit/ Beqaj: Do vijoj në burg si dëshmi e reformës në drejtësi

AKTUALITET


Mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Larë për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit personal ‘arrest në burg’,  solli reagimin e ish ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili tha se opinioni publik po helmohet me tezën se ndryshimi i kësaj praktikë mund të çojë në lirimin e të korruptuarve.

Reagimi i Beqaj erdhi pas përmendjes së emrit të tij në disa studio televizive, si një nga të paraburgosurit që do të përfitonte lirimin nga qelia në rast se do të ndryshojë vendimi unifikues nga shkalla e tretë e gjyqësorit.

“Një person në paraburgim nuk është ende i dënuar. Për rrjedhojë, juridikisht nuk bëhet fjalë për lirim nga vuajtja e një dënimi, por për shqyrtim të masës së sigurisë. Nëse një i akuzuar, para një vendimi të formës së prerë, qëndron në paraburgim apo nën një masë më të lehtë sigurie, kjo nuk paragjykon fajësinë dhe as vendimin penal përfundimtar ndaj tij. Sa i përket rastit tim, unë nuk pres asgjë nga vendimi unifikues që pritet të marrë Gjykata e Lartë, as nga ndonjë vendim tjetër i tillë”, reagoi Ilir Beqaj.

Me tone ironike, ish zyrtari i lartë tha se ai duhet të vazhdojë qëndrimin në burg si dëshmi e suksesit të Reformës në Drejtësi. Beqaj solli në vëmendje edhe seancën e pak ditëve më parë që u zhvillua në Gjykatën e Posaçme për shqyrtimin e kërkesës së tij për ndryshim të masës së sigurisë në këmbim të 20 mijë eurove.

Sipas tij, përfaqësuesi i akuzës gënjeu në tre raste dhe përpara kësaj situate kur në emër të shtetit një prokuror paraqet si argumente gënjeshtra, atëherë asnjë vendim i Gjykatës së Lartë, i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk mund të shërbejë realisht si pikë referimi.



Skip to toolbar