Në një intervistë në “NewsLine” në ABC News, analisti Frrok Çupi komentoi përjashtimet në PD dhe qëndrimet e Sali Berisha, si edhe kandidaturën e Ervin Salianjit.
Ai tha se Berisha nuk lejon zërat kundër tij brenda partisë. Gjithashtu nënvizoi se nga zgjedhjet brenda PD-së nuk pret asgjë të re, me sjelljen politike që ka treguar Berisha. PD sipas tij duhet të riformatohet.
“Njerëzit vihen në provë dhe në këtë parti PD nuk janë lejuar njerëzit të vihen në provë. Nëse kjo parti nuk refuzohet nga brenda saj siç po tentohet sot, ky është problem dhe gjërat brenda ngatërrohen. Ky brez që tenton, nuk e di se sa të qartë janë sepse do teza platforma e filozofi, por ky është një brez që ka fatin e keq që është rritur në hijen e Berishës.
Por ka fatin edhe të mirë që jeton në këtë shoqëri e mazhorancë që e mbron…Sepse po të ishte në një kohë tjetër, do gjendeshin në burg ose të vrarë. Dikur edhe vetë themeluesit e PD, e dinin se ku do të shkonin…Kujtoj drejtorin e policisë së asaj kohe Agim Shehu që jepte mesazhe të rënda…Çfarë ishte Azem Hajdari, Sokol Olldashi? Ishin kundërshtarë që Berishës që sot nuk janë më…”, tha ndër të tjera Çupi.
