Albi Xhunga: “Në emër të popullit”?

OPINION


‘’Në emër të popullit je i arrestuar’’ i thanë policët e komunizmit një prifti të mirë në orën 4 të mëngjesit. ‘’Populli është në gjumë’’ përgjigjet njeriu i paqtë.

Në protestën e 2 marsit populli e shpërndau Kuvendin. Shkëlqesia e tij nuk e respektoi vendimin e popullit në shesh, jo siç thonë disa sepse kishte frikë nga ndëshkimi penal ndaj një veprimi të rëndë anti-kushtetues, por thjesht sepse nuk do t’ia merrte njeri parasysh. Presidenti foli në emër të popullit shqiptar dhe me popull shqiptar iu referua atyre që ishin mbledhur në shesh. Ai popull në atë moment ishte i përfaqësuar. Po atë popullin tjetër që nuk kishte dalë në shesh kush e përfaqëson? A nuk është edhe ai popull shqiptar?

Do t’ia kthejmë pushtetin popullit me anë të referendumeve thotë shpesh në daljet e tij të fundit publike shkëlqesia e tij. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që populli të ketë të drejtën të flasë me referendum për çdo çështje të rëndësishme. Domethënë populli, që në këtë rast mund të jetë një profesor, arkitekt, berber, fermer, hidraulik, mekanik etj., të shprehet për çështje shumë teknike si psh marrëveshja e detit me Greqinë. Referendumet përdoren në vendet demokratike shumë rrallë dhe për çështje tejet të rëndësishme që kalojnë mandatin e një qeverie. Psh në Mbretërinë e Bashkuar populli u shpreh me referendum, sepse brexit tejkalonte mandatin qeverisës të kryeministrit të rradhës. Nuk ka sot në Botë vende që qeverisen me referendume sepse për demokracitë ky është populizëm, ndërsa vendet autoritare apo diktaturat nuk e ndiejnë nevojën të pyesin popullin. Referendumi është demokraci direkte dhe e thjeshtëzuar, pasi përgjithësisht përgjigjja mund të jetë vetëm ‘’Po’’ ose ‘’Jo’’, ndërkohë që demokracia përfaqësuese i përgjigjet më mirë problemeve qeverisëse, pasi zakonisht përgjigjet janë më të komplikuara dhe nuk mund të shtrohen në një referendum vetëm me dy alternativa.

Një lider revolucionar deklaroi sot se populli duke vetëvendosur e kishte shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ardi Veliun. Tani i mbetej kryeministrit të zbatonte vendimin popullor. Cili zë publik ka tagër të flasë në emër të popullit? Asnjë. As kryeministri. Populli flet me votë dhe kryeministri flet në emër të shumicës, jo të popullit.

Po ata që mendojnë se kjo çështje po trajtohet në mënyrën e duhur nga autoritetet, pasi polici që qëlloi është në duart e drejtësisë dhe se kjo e fundit është e vetmja që ka tagrin të hetojë nëse policia u përpoq ta manipulonte ngjarjen apo jo, a janë popull?

Po ata që nuk duan të shohin qytetin e tyre të shkatërrohet, sepse kjo është paraja publike, jo paraja e pushtetit, a janë popull?

Po ata që mendojnë se policia jo vetëm që nuk është represive, po ajo as nuk po tregohet në lartësinë e detyrës, pasi kemi dhjetra policë të plagosur dhe zero protestues të plagosur, a janë popull?

Po ata që mendojnë se në këtë protestë normalisht duhet të kishte masivitet dhe qytetarë me qirinj në duar, por kjo nuk ishte e mundur sepse disa vendosën ta bëjnë protestën të dhunshme, a nuk janë popull?

Ata që duan verdiktin e popullit duhet thjesht të presin 25 prillin. Askush nuk mund të flasë në emër të popullit e askush nuk mund të dijë çfarë do populli para kësaj date, pasi vota është e vetmja formë me të cilën populli shprehet. Natyrisht që protestuesit kanë mendimin e tyre dhe janë të lirë ta shprehin, por e drejta për të protestuar nuk mund të bëhet në një demokraci e drejtë e pakicës së dhunshme për t’iu imponuar shumicës së heshtur.



Skip to toolbar