Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga shtetasin Arian Armani alias Eljfat Saljiu, 30 vjeç, banues në Shkodër, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje me dashje mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, personi i arrestuar ishte duke lëvizur në një makinë të drejtuar nga shtetasi E. L., të cilët nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar në Vorë. “Gjatë ndjekjes, nga automjeti ka zbritur shtetasi Arian Armani, ndërsa drejtuesi i automjetit së bashku me automjetin janë larguar.
Shtetasi Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ka tentuar të largohet dhe të fshihet në ambientet e një hoteli në Vorë, dhe falë veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është bërë kapja e tij në ambientet e hotelit. Gjatë kontrollit në ambientin e hotelit ku ky shtetas ka tentuar të fshihej, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 30-vjeçari i arrestuar, ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Shkodër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ndërkohë, policia bën të ditur se është duke punuar për të arrestimin e shtetasit me iniciale E.L.