“Në Kuvend nuk ka një minorancë bllokuese”, kështu u shpreh Taulant Balla gjatë një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News.
Ai theksoi se PS i ka sot votat e duhura ‘dhe e kemi dëshmuar në dy raste kur është nevojitur se nuk ka sot në Kuvendin e Shqipërisë një minorancë bllokuese’.
Më tej nënvizoi se Kushtetuta ka përcaktuar qartë se si janë votimet, ‘janë me 71 me 84 dhe me 94.’
Pjesë nga intervista;
Sokol Balla: Të rrimë të flasim politikisht. Ju jeni kryetar i një grupi parlamentar të madh, prej 83 mandatesh..
Taulant Balla: Të them edhe diçka për 83-shin se aty më provokove një cik. Ne në fakt, diaspora na besoi 95 mandate, pra nëse do merrej vetëm vota e diasporës PS do kishte 95 mandate. Megjithatë mandatin e 84 ju e mbani mend, e kemi humbur për pak vota në Lezhë po edhe në ndonjë qark tjetër. Që do të thotë PS i ka sot votat e duhura dhe e kemi dëshmuar në dy raste kur është nevojitur se nuk ka sot në Kuvendin e Shqipërisë një minorancë bllokuese. Kushtetuta ka përcaktuar qartë se si janë votimet, janë me 71 me 84 dhe me 94. Këto janë tre votime në Kuvendin e Shqipërisë. Me 71 dhe me 84 duket se nuk ka problem, për të vetmen çështje që mund të bëjmë negociata është për 94, që do të thotë se opozita duhet ta ngulisë mirë në mendje. Traditat kanë ekzistuar se nuk ka patur asnjë prej palëve asnjë shumicë prej 3/5 kjo traditë nuk është më se mazhoranca sot i ka 3/5 megjithatë në respekt të traditës edhe të nevojës së një dimensioni të gjithë pranuar europian, që nevojitet një consensus parlamentar, dialog parlamentar, ne e bëjmë këtë dhe gjithë kjo që parashtruat ju është pjesë e kësaj qasjes tonë që ne dakord i kemi 83 mandate, i kemi votat për ligje me shumë të cilësuar por ne jemi të gatshëm, por në kushtet e këtij mandatit 2025-2029 ju nuk keni më të drejtën e vetos. Që do të thotë që ata o do vijnë të bëhen pjesë ose nëse ata nuk duan të bëhen pjesë ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Kalendari ynë është që brenda të enjtes së fundit të korrikut duhet miratuar ndarja e re administrative territoriale, nëse do propozohet nuk dua paragjykoj. Nëse do vini në zyrën time, është një tabelë e madhe me një kalendar datash, pra unë mund t’ju them me bindje që deri në qershor unë di se çfarë duhet që të kalojmë në Kuvend
Sokol Balla: Taulant, po ta bëj pyetjen në anglisht se shqip është pak në orar të caktuar. ‘You got the votes, but do you have the bolls”
Taulant Balla: I kemi të dyja
Sokol Balla: Krijohet përshtypja se nuk keni ndonjë far uniteti për t’u lavdëruar
Taulant Balla: Çështje këndvështrimesh kjo. Këtu në këtë sallë, është mbledhja e grupit të PS, shpesh kritikohemi, këtu ka shumë debate Sokol, një pjesë dalin, një pjesë nuk dalin por edhe këtu janë të rregulluara vendimmarrjet. Ti mund të kesh qëndrimin tënd, mendimin tënd, voton, voton kundër kishim për shembull disa ndryshime në Kodin Rrugor, Kodin Penal, kishte edhe kolegë që kishin këndvështrime të respektuara, në fund në sallë je i detyruar të votosh sic është qëndrimi i shumicës të grupit. Kjo e përcaktuar në rregulloren e brendshme të grupit tonë parlamentar. Ndaj që të jemi të qartë, PS e ka pjesë të vetën pjesën e debatit të brendshëm aq sa ky debat nuk dëmton punën dhe mesazhin politik. Ndaj mos na e qani hallin për këtë pjesë, nga ajo që ju e quajtët kohezion. E vërteta është që, sa kohë unë kam qenë kryetar i grupit parlamentar, jam krenar që nuk kemi dështuar asnjëherë ndaj çështjeve që na është dashur të votojmë edhe kur është dashur të votojmë në shumicë të cilësuar edhe kur nuk i kishim votat në kuvend.
