Në thertoren e Assad për 38 vite/ I dënuari jordanez del i gjallë nga burgu sirian, por pa kujtesë

BOTA


Një i dënuar jordanez që u lirua pas 38 vitesh në burgun famëkeq të Damaskut, i njohur si therrtorja e Assadit, është dëshmia e torturave çnjerëzore të regjimit të ish- presidentit sirian. 56 vjeçari i mbyllur në qeli që kur ishte adoleshent, arriti të dalë i gjallë nga burgu dhe të bashkohet me familjen e tij. Por pas ka lënë një nga gjërat më të shtrenjta: kujtesën.

Pasi kaloi thuajse 4 dekada në Thertoren e njerëzve në Siri, një i burgosur jordanez më në fund është bashkuar me familjen. Osama Bashir Batayneh ishte vetëm 18 vjeç kur u arrestua në vitin 1986 gjatë vizitës së tij në Siri si student dhe që atëherë asgjë nuk dihej për të. Pas 38 vitesh tortura Batayneh kaloi në pikën kufitare Jaber nga Siria në Jordani, por la pas një pjesë të tij: kujtesën.

Pasi identiteti i tij u verifikua, më në fund Batayneh u ribashkua me familjen. Babai i Osama-s kishte kërkuar me dëshpërim për ndonjë gjurmë të djalit të tij për vite me radhë dhe thuhet se u kishte paguar zyrtarëve ryshfete të majme për të ndihmuar në lirimin e djalit të tij, por pa dobi.

Mijëra të burgosur u liruan nga burgjet në Siri pasi grupet kundër regjimit pushtuan kryeqytetin Damask të dielën.

Sipas Organizatës Arabe për të Drejtat e Njeriut në Jordani, numri i jordanezëve të mbajtur në burgjet siriane ishte 236, me shumicën që mbaheshin në Sadnaya. Ashtu si Batayneh, një i burgosur libanez u rikthyer në atdheun e tij pas 33 vitesh në burgjet e regjimit sirian.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad dhe me hyrjen në Damask të Hayat Tahrir al-Sham, rebelët hapën burgjet dhe liruan të burgosur. Që nga fillimi i kryengritjes në vitin 2011, e cila u shndërrua në një luftë civile, më shumë se 100,000 njerëz kanë vdekur në burgjet siriane, kryesisht për shkak të torturave.

Vetëm nga Sadnaya, ku të burgosurit iu nënshtruan torturave të tmerrshme, 6000 u liruan. Amnesty International ka dokumentuar mijëra ekzekutime dhe ka denoncuar “një politikë të vërtetë shfarosjeje” në Sednaya, duke e quajtur atë një “thertore të njerëzve”. / abcnews.al



Skip to toolbar