Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i është përgjigjur interesimit të mediave shqiptare nëse kushtet e Gjermanisë do të mjaftojnë për hapjen e negociatave.
“Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali. Ne mbështesim hapjen e negociatave bazuar në votën e Bundestagut. BE duhet të marrë përgjegjësi për paqe e stabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të mbajmë premtimet”, u shpreh Mass.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Ministri gjerman i Shtetit për Europën Michael Roth, i cili ka mbërritur në Luksemburg ku do të zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE për të vendosur nëse do të mbështesin hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Roth shkruan se pozicioni i Gjermanisë është i qartë në mbështetje të nisjese së bisedimeve për këto dy vende, megjithë e konsideron procesin të vështirë.
“Mbërritja dhe pragu i derës nga DE MiRo_SPD në GAC në Luksemburg. “Pozicioni gjerman është i qartë: ne mbështesim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në bazë të votës gjermane të Bundestagut. Tani fillon me Këshillin e Ministrave Evropian. Në axhendën tonë: zgjerimi i përfitimeve (hapja e negociatave të pranimit Shqipëri & Maqedonia Veriore) & Financat e BE-së. Do të jetë shumë e vështirë sot”, shkruan Roth.
Ndërsa ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok tha se Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. “Mendojmë se çdo vend duhet gjykuar bazuar në merita. Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligjin për prokurorinë e pavarur”, theksoi Blok.
Ndërkohë, e pyetur nga A2 nëse Franca ka kundërshtuar në takimin e ambasadorëve hapjen e negociatave me Shqipërinë, Tytti Tuppurainen, ministrja e Jashtme e Finlandës, vend i cili mban presidencën e BE-së, tha se nuk do donte të paragjykonte diskutimet. Ajo tha se presidenca mbështet hapjen e negociatave, por se për këtë duhet një vendim i unfikuar i të gjithë vendeve anëtare.
Me refuzimin e negociatave të reja të pranimit në BE, qeveria e Parisit kundërshton jo vetëm të gjitha vendet e tjera të BE, por edhe presidenten e ardhshme të Komisionit të BE, Ursula von der Leyen dhe udhëheqësit aktualë të BE. Në një letër këta të fundit, kishin kërkuar nisjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e kërkuara nga BE, thuhet në letrën e Leyen dhe liderëve të tjerë të BE. “Tani është në lojë aftësia e BE për të mbajtur premtimet dhe për të parë nga ardhmja. Integrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimore, gjithashtu do të ndihmojë në mbrojtjen e interesave europiane”, thuhet në letër.