Kreu i OSBE, Miroslav Lajçak, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Sllovakisë, vend që ka kryesimin e radhës të OSBE, ka dhënë një mesazh të fortë për hapjen e negociatave, duke kërkuar që në tetor BE të tregojë sa serioze është, pasi sipas tij duhet të jepet sinjal i fuqishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai ka folur për gazetarët gjatë takimit informal të ministrave të Punëve të Jashtme, Gymnich, që po zhvillohet në Helsinki të Finlandës.
“Do të keni më shumë në tetor në Këshillin e përgjithshëm. Mendoj se do të ishte një sinjal i fuqishëm se sa seriozë jemi ne. Unë shpresoj që ne të jemi seriozë”, ka deklaruar Lajçak. I pyetur nga gazetarët se çfarë kuptonte me sinjal të fuqishëm, një shans për çelje negociatash, Lajçak tha: “Shpresojmë të ketë një ftesë sepse do të kishte pasoja serioze për të ardhmen e procesit të zgjerimit”.
Lajcak shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin njëkohësisht dritën jeshile për çeljen e negociatave duke e parë si prove serioziteti të Bashkimit Evropian lidhur me procesin e zgjerimit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor. Por bashkëkombësi i tij, ish eurodeputeti sllovak Eduard Kukan në një intervistë pak ditë më parë u shpreh skeptik për Shqipërinë. Kukan mendon se nisur nga situata aktuale politike në Shqipëri, çelja e negociatave për vendin tonë do të ishte joreale.
Ndërsa për ministrin e jashtëm të Lituanisë, Linkevicius, procesi i zgjerimit duhet të drejtohet nga performanca e shteteve që duan t’i bashkohen BE-së. “Nuk duhet të ketë një rrugë të shpejtë, por duhet të plotësojnë kërkesat. Sinqerisht ky proces, duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor do të thosha se është mirë të jenë pjesë e jona. Por procesi duhet të drejtohet nga performanca jo nga kalendari. Ka kushte që duhen plotësuar dhe mund të përmend këtu në linjë me BE, politikën e përbashkët për sigurinë, e cila është e rëndësishme. Vendet që duan t’i bashkohen klubit duhet t’i përgjigjen rregullave, vlerave dhe parimeve. Nuk është rasti gjithmonë, por në përgjithësi ne shpresojmë që procesi të shkojë në rrugën e duhur dhe ne do e mbështesim”, ka thënë Linas Antanas Linkevicius, ministri i jashtëm i Lituanisë.