Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian po ecin sipas planit dhe nuk janë të vërteta lajmet se negociatat kanë ngecur.
Në asamblenë e PS në njësinë 7, Rama deklaroi se ekonomia është rritur, çka ka mundësuar rritjen e pagave dhe pensioneve.
Rama shtoi se ka pasur shumë aplikime për paketën e maleve.
“Procesi i negociatave ecën sipas planit. Kemi një kalendar, të dakordësuar me KE, kemi një raport, që është absolutisht pozitiv. Kjo është e vërteta. Ekonomia vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Mjaftojnë të dhënat që konkretisht njerëzit i verifikojnë vetë kur marrin pagën. Pagat në sektorin publik janë rritur. Po njohim vjetërsinë në punë të mjekëve, ushtarakëve, mësuesve. Është rritur ekonomia, janë rritur të ardhur. Si shpjegohet që kur rritet korrupsioni, sipas tenxhereve, rritet ekonomia. Këto dy gjëra nuk shkojnë bashkë. Rriten pagat në sektorin publik, rriten pensionet. Vitin e ardhshëm, pensionistët do shohin dyfishim të asaj mase të këtij viti. Janë rritur mundësitë, është rritur ekonomia, kemi arritur të mbledhim më shumë të ardhura, pa rritur taksat. Jemi i vetmi vend në rajon që ka 0 taksë për biznesin e vogël. Ka ardhur koha për të krijuar programe të veçanta për ndërmarrje të veçanta.
Do dalim me programin dyfisho ndërmarrjen. Me paketën e maleve, shtëpitë në fshat t’i kthejnë në agroturizëm. Në Shqipëri nuk ka oligarkë. Shikoni fytyrën e atij që e përdor, kushdoqoftë. Paketa e maleve nuk ka lidhje me ta, është për ata që kanë realisht një tokë të trashëguar dhe në shumë raste, si në veri, nuk kanë titujt e pronësisë dhe u jep mundësi të investojnë. Me paketën e maleve, njeriu shkon në Këshill Bashkiak dhe thotë, kjo është toka. Nëse nuk ka ankesa nga fqinjët, i jep të drejtë ta zhvillojë. Kaq e thjeshtë është paketa e maleve. Kemi pasur shumë aplikime. Në çdo cep të Shqipërisë ka mundësi për të bërë agroturizëm. Berati ka më shumë kthime sesa ikje, është rezultat i ekonomisë atje. Korrupsioni është luftuar më shumë se çdo herë.”, theksoi ai.
