Diskutimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nis të martën në takimin e ministrave të BE. Por, deri më sot, Franca duket ajo që është më skeptikja dhe që sipas raportimeve të mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat citojnë burime diplomatike, Franca ka përgatitur një jo të prerë për negociatat.
Për këtë arsye, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka ndërmarrë një sërë takimesh me vendet skeptike, që t’i jepet një Po Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërkohë që pikërisht të dielëm, ajo pritet të takojë presidentin Macron për këtë çështje. Kjo u raportua pak ditë më herët nga DË, e cila e cilësoi këtë takim si shansi i fundit për hapjen e negociatave. Takimi është planifikuar rreth orës 13:10 të së dielës, por nuk ka pasur asnjë të dhënë mbi diskutimin mes tyre, ndërsa politika shqiptare edhe ajo e Maqedonisë së Veriut, janë në pritje të një rezultati pozitiv nga ky takim.
Ndonëse nuk është vetëm Franca, e cila ende nuk ka shprehur një qëndrim zyrtar, skeptikë janë edhe Spanja dhe Danimarka për Shqipërinë, apo Holanda, por që vendimi francez duket më shqetësuesi si për vendin tonë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.
Burimet diplomatike janë shprehur se Franca pritet ta bllokojë hapjen e planifikuar të bisedimeve me dy vendet e Ballkanit – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – për anëtarësimin e tyre në BE, pasi i konsideron të pamjaftueshme hapat e ndërmarra në këto dy vende, megjithatë tashmë do të pritet shansi i fundit nga Merkel-Macron.