Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka deklaruar se BE nuk duhet të cilësojë rajonin si “delja e zezë”, por si një vlerë e shtuar në familjen europiane. Këtë deklaratë, kreu i Kuvendit e ka bërë në fjalën hapëse të konferencës XVI të komisioneve parlamentare për integrimin evropian të shteteve pjesëmarrëse në procesin e stabilizimit dhe asociimit të Evropës Juglindore, e cila po mbahet në Kryesinë e Kuvendit.
“Bashkëpunimi na afron më shumë me BE. Nuk ka pse të konsiderohet si ‘delja e zezë’, por si një vlerë e shtuar e BE. Qëndrimet e dyzuara lëshojnë terren për influenca jo perëndimore. Mos hapja e negociatave nuk do të pasohen me këtë influencë, por duhet që BE ta lexojë qartë këtë risk. Sado i padrejtë ky vendim, ne nuk jemi dekurajuar, por kemi shtuar përgjegjësinë në të gjithë rajonin. Ne jemi të qartë se kemi detyra për të bërë dhe objektiva. BE do ti bashkohemi më shpejtë nëse kemi bashkëpunim rajonal miqësor. Sa më shumë të forcojmë kohezionin rajonal aq më shumë kemi forcim të koherencës me BE”, tha Ruçi.
Ruçi tha se çështjet e kësaj konference zhvillohen e mbështeten nga Procesi i Berlinit, lidhshmëria, transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave duke theksuar perspektivat e komunikimit mes vendeve, zhvillimin e kapitalit njerëzor etj.
Sipas kreut të Kuvendit, nëpërmjet tyre, vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive dhe shoqërive të tyre, për të ndërtuar një rajon me zhvillim, mirëqenie, paqe, stabilitet, siguri e qarkullim të lirë të ideve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve e qytetarëve.