Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për kreun e Prokurorisës së Kukësit, Edmond Kariqi, dhe të akuzuarit e tjerë, duke dërguar dosjen në gjykatë.
Në përfundim të hetimit, SPAK ka zbuluar se “i pandehuri Dritan Dedja me ndërmjetësimin dhe ndihmën e të pandehurve Emirjan Beu dhe Isuf Gega, i ka dhënë të pandehurit Edmond Kariqi, i cili ushtronte funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, përfitime monetare të padrejta, me qëllim për të favorizuar shtetasin Ramadan Dedja dhe persona të tjerë nën hetim, në një çështje penale të regjistruar në ngarkim të tyre në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës”.
Njoftimi i SPAK:
Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kanë përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.49/1 viti 2021, që bën fjalë për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, i pandehuri Dritan Dedja me ndërmjetësimin dhe ndihmën e të pandehurve Emirjan Beu dhe Isuf Gega, i ka dhënë të pandehurit Edmond Kariqi, i cili ushtronte funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, përfitime monetare të padrejta, me qëllim për të favorizuar shtetasin Ramadan Dedja dhe persona të tjerë nën hetim, në një çështje penale të regjistruar në ngarkim të tyre në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.
I pandehuri Edmond Kariqi është akuzuar se ka kryer veprën penale: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, ndërsa të pandehurit Dritan Dedja, Emirjan Beu dhe Isuf Gega janë akuzuar se kanë kryer veprën penale: “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal.
Sot në datën 23.12.2021, Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Edmond Kariqi, Dritan Dedja, Emirjan Beu dhe Isuf Gega.