Nëntë kallashë “pa pronar” në policinë e Elbasanit, SHÇBA nis hetimin

AKTUALITET


Nëntë armë automatike janë gjetur në një nga zyrat e Komisariatit të Elbasanit, që nuk dihet se kujt i përkasin e që prej kohësh kishin mbetur aty, pavarësisht se zyra kalonte dorë më dorë. Kjo ka detyruar SHÇBA të nisë hetimet për këtë rast, ndërkohë që mendohet se armët kishin më shumë se dy vite që qëndronin aty.

Burimet policore thanë se nëntë armë zjarri, automatik model 56, prej dy vitesh qëndronin në zyrën e shefit të rendit të këtij komisariati. Armët ishin lënë në zyrë pa asnjë dokumentacion përkatës, ndërsa nuk u ishte bërë asnjë ekspertizë për të kuptuar nëse ishin përdorur apo jo në ngjarje kriminale.

Për këto armë “pa pronar” ishin vënë në dijeni edhe drejtuesit e komisariatit, por nuk ishte marrë asnjë masë. Para pak kohësh, shef rendi në Komisariatin e Elbasanit u emërua Faik Ruko, i cili sapo konstatoi mungesën e dokumentacionit për armët, kërkoi sqarime nga shefi që zëvendësoi Abedin Halilaj, i cili po ashtu nuk kishte dokumentacion për rastin.

Pas ndryshimeve, shefi i ri i komisariatit ka kërkuar sqarime për armët duke vendosur në lëvizje instancat përkatëse. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur hetimet për rastin. Burime nga policia thanë se armët janë grumbulluar në kuadër të planit të çarmatimit dhe dorëzimit vullnetar në vitin 2017. Tashmë, SHÇBA ka nisur verifikimin e dosjeve se kush ka qenë përgjegjës në atë kohë për kryerjen e procedurave me armët e dorëzuara dhe pse nuk janë realizuar për t’u dorëzuar më pas, por kanë mbetur në zyrë. Kjo mund të sjellë dhe pasoja penale në radhët e uniformave blu për shpërdorim detyre.



Skip to toolbar