Autoriteti i Aviacionit Civil ka shpërndarë një komunikatë pasditen e sotme, ku njofton udhëtarët shqiptarë se nesër kompanitë italiane të fluturimit janë grevë. Për këtë arsye do të ketë vonesa në fluturimet nga Rinasi drejt aeroporteve italiane dhe anasjelltas, pasi pilotët dhe teknikët e disa kompanive do të jenë në grevë, çka do të thotë vonesa për pasagjerët që kanë planfikuar udhëtim me avion drejt Italisë dhe anasjelltas.
“Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, i bën apel gjithë pasagjerëve që do të udhëtojnë ditën e nesërme, e Martë 21 Maj nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, se për shkak të një greve që pritet të jetë 24 orëshe, do të ketë anullime dhe vonesa të fluturimeve”.
“Vonesat dhe anullimet e më shumë se gjysmës së fluturimeve vijnë si pasojë e një greve të pilotëve, teknikëve dhe asistentëve të fluturimit të kompanisë Alitalia, Blue Panorama dhe Blue Air”.
“Për të shmangur pritjet e gjata, këshillojmë të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë nga dhe drejt Italisë ditën e martë, që të kontrollojnë dhe të komunikojnë me kompanitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimin, për tu njohur me statusin e fluturimit”.