Shtetet në mbarë botën po ashpërsojnë masat kundër koronavirusit, teksa vaksinimi ka nisur në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Përveç rritjes së rasteve të reja, shtetet po vendosin kufizime për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit, që është më i transmetueshëm.
Shtetet në mbarë botën po vendosin masa të reja apo po i zgjerojnë masat që tashmë i kanë në fuqi, teksa numri i përgjithshëm i viktimave në botë nga virusi ka arritur në mbi 1,8 milion.
Gjermania pritet ta vazhdojë izolimin teksa guvernatorët e shteteve pritet të takohen me kancelaren, Angela Merkel javën e ardhshme. Masat e vendosura në këtë shtet, që prej mesit të dhjetorit të vitit të kaluar, kanë dështuar që të frenojnë përhapjen e virusit.
“Duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve, është e rëndësishme që të zgjerojnë kufizimet dhe masat”, tha më 2 janar për RTE Aktuell, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Numri mesatar i infektimeve të reja në 100,000 banorë për një javë, në Gjermani është 140, pothuajse tri herë më i lartë sesa që kishte planifikuar qeveria që të lehtësojë masat. Shtetet tjera në Evropë po ashtu po ashpërsojnë masat. Franca ka zgjeruar masën e orës policore në 15 departamente për të luftuar rritjen e rasteve të reja. Qeveria ka urdhëruar që kjo masë të aplikohet në rajonet, që janë në kufi me Gjermaninë, Belgjikën dhe Zvicrën.
Greqia po ashtu ka vazhduar masën e izolimit deri më 10 janar, duke mbyllur sallone të floktarisë, libraritë dhe Kishat. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku fillimisht është identifikuar varianti i ri i koronavirusit, për të pestën ditë me radhë është shënuar numër rekord i infektimeve ditore. Më 2 janar, ky shtet regjistroi 57,725 raste të reja. Qeveria britanike po përballet me thirrje për të mbyllur të gjitha shkollat, për të luftuar përhapjen e virusit.
Në kryeqytetin e Tajlandës, Bankok, janë mbyllur shkollat, baret, klubet e natës dhe restorantet. Ndërkaq, në Tokio të Japonisë, guvernatori kërkoi nga Qeveria japoneze që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Në Shtetet e Bashkuara – shtetin e goditur më së keqi nga pandemia – janë regjistruar mbi 200,000 infektime brenda ditës dhe 2,600 viktima. Epiqendra e shpërthimeve të reja të virusit në SHBA është Kalifornia, ku spitalet janë të stërmbushura me pacientë.