Kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë sot (27 janar) në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, një ditë më parë, Rama u prit nga homologu i tij Benjamin Netanyahu me të cilin zhvilloi dhe një takim “kokë më kokë”.
Diskutimi mes tyre u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, bashkëpunimin politik dhe institucional, si dhe çështje të interesit të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Më pas, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama u pritën në një ceremoni zyrtare nga Kryetari i parlamentit të Izraelit, Amir Ohana, ndërsa kryen nderime edhe para 2 monumente përballë Knessetit, për të rënët e luftërave të Izraelit Kryeministri mbajti më tej një fjalim të posaçëm në seancën e posaçme të parlamentit izraelit, Knesset, duke e konsideruar momentin si një nder të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Rama e nisi vizitën në Izrael më 25 janar, teksa shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ndalesa e parë në nisje të vizitës së tyre ishte Nova Site, për të cilin u shpreh se ishte një vend “që kumbon pa fjalë. Mes humbjeve rrëqethëse, një pyll festash i kthyer në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes.”
