10 Shtatori me dekret presidencial do të shënojë nisjen e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë. 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature.
Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.
Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit.
Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjistalturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.
Më pas do të zhvillohet një tjetër seancë e posaçme, ajo e votimit të qeverisë “Rama 3”, që do të paraprihet nga debati parlamentar mbi programin qeverisës.
Kjo legjislaturë rikthen opozitën, PD-në dhe LSI-në në Kuvend dy vite pas djegies së mandateve, shkurtin e vitit 2019. Beteja parlamentare projektohen të forta nisura nga retorikat e ashpra politike nga kampi opozitar.
Reformat do të jenë kryefjalë e Parlamentit të ri. Demokratët kanë përcaktuar dy prioritete: reformën zgjedhore dhe rishikimin e hartës territoriale të vendit. Nëse e para, reforma zgjedhore është detyrim i Kuvendit të ri, nisur edhe nga dakordësia në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020 për ta adresuar atë, reforma territoriale, që do të ndryshonte numrin e bashkive në vend, do të ketë nevojë një marrëveshje të madhe politike për tu nisur.
Nga kjo legjislaturë do të zgjidhet edhe Presidenti i ardhshëm i Republikës. Ilir Metës mandati presidencial i përfundon zyrtarisht në 22 korrik 2022, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendosë ta shkarkojë atë më herët. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se ka gjithë vullnetin për t’u ulur në tavolinë me PD-në për zgjedhjet e një Presidenti konseunsual.
E megjithë parashikimet politika shqiptare ka treguar se prodhon supriza. E në këtë aspekt më 10 Shtetor do nisë stina e madhe e debatit politik, por edhe me shpresën se do të jetë stina e re e ngritjes së madhe ekonomike e shoqërore pas dy goditjeve të mëdha që përjetoi vendi tërmetit të 26 Nëntorit dhe pandemisë COVID-19.