Rritja e masave të policisë rrugore në korrik ka prapsur shkeljet me pasoja të rënda të shoferëve, duke ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve rrugore, krahasuar me korrikun e vitit 2018, por edhe të pasojave me vdekje në rrugë, megjithëse kanë pasur një rritje krahasuar me qershorin për shkak të numrit më të lartë të mjeteve në qarkullim gjatë muajit korrik.
Nga shifrat zyrtare të INSTAT dhe policisë mësohet se në muajin Korrik 2019 numërohen 148 aksidente rrugore nga 166 aksidente të ndodhura në muajin Korrik 2018, duke u ulur me 10,8% numrin e tyre, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, krahasuar me vitin paraardhës, në korrik është ulur numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore nga 18 persona të vdekur në Korrik 2018 në 13 persona në korrik 2019.
Megjithatë rezulton se ka pasur një rritje të numrit të plagosurve në korrik 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Për korrik 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 228 persona (13 të vrarë dhe 215 të plagosur) nga 210 (18 të vrarë dhe 192 të plagosur) që ishte një vit më parë, duke shënuar rritje me 8,6 % të personave të aksidentuar.
Ndërsa krahasuar me muajin qershor 2019 rezulton se numri i aksidenteve rrugore është rritur nga 131 në 148, ndërsa numri i të aksidentuarve nga 187 në 228, megjithëse është përgjysmuar numri i të vdekurve nga 26 që ishin në qershor, 13 viktima janë regjistruar në korrik.
Po ashtu, INSTAT ka analizuar edhe 7 mujorin e vitit 2019 për aksidentet. Në shtatë mujorin e parë 2019, numërohen 862 aksidente rrugore nga 967 aksidente të ndodhura në shtatë mujorin e parë 2018, duke u ulur me 10,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i të aksidentuarve në shtatë mujorin e parë të vitit 2019 është 1.188 persona nga 1.279 persona, duke u ulur me 7,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në shtatë mujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 115 persona nga 116 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Korrik 2019, aksidentet rrugore, në 89,9% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 30,4% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë rritur me 15,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në shtatë mujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 13,5% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 42,3%, krahasuar me një vit më parë.
Ulja e numrit të viktimave, sipas policisë ka ardhur për shkak të ashpërsimit të masave nga ana e policisë rrugore, e cila ka intensifikuar kontrollet sidomos gjatë fundjavave, duke mos toleruar asnjë abuzues. Madje, kontrollet e shumta janë kryer në akset kryesore të rrugëve bashkë me policinë rrugore të Kosovës. Ndërsa sa i përket rritjes së numrit të aksidenteve në korrik, krahasuar me qershorin, burimet policore shpjeguan se kjo ndodh për shkak të numrit të lartë të qarkullimit të mjeteve në muajin korrik, të cilat nuk janë vetëm rezidente në Shqipëri, por vijnë edhe për shkak të kthimit të emigrantëve dhe turistëve.