“Ngërçi në gjykata”, SHBA: Reforma theu sistemin e korrupsionit, SPAK çliron vendin

Më të fundit


E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones deklaron se SPAK do të çlirojë përfundimisht Shqipërinë nga korrupsioni. Duke përshëndetur ngritjen e pallatit të ri të drejtësisë, Leyla Moses-Ones deklaroi se SHBA vijon që të jetë në krah të Shqipërisë, ndërsa kujtoi negociatat e gjata me Partinë Demokratike në vitin 2016 për të miratuar reformën në drejtësi.

“Është një kënaqësi për të përuruar këtë godinë. 21 korriku i 2016 filloi me pritshmëritë e një votimi në Kuvend. Pas negociatave që zgjatën gjatë gjithë ditës PD-ja miratoi draftin, Meta falënderoi Bashën dhe Ramën dhe tha se drafti ishte gati. Votimi filloi dhe ishte unanim. Të gjithë votuan. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit kur punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Shqipëria kishte një të ardhme të re, pasi politikanët kishin vizionin për të luftuar korrupsionin. Kjo ishte tre vite më parë, por shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë. Shqipëria ka miratuar ligjet, vettingun dhe u krijua Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”, deklaroi e ngarkua me punë e SHBA në Tiranë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ajo ka zgjedhur të flasë shqip, duke treguar mbështetjen e fortë të SHBA për këtë reformë, e cila është sulmuar shumë nga kreu i shtetit, Ilir Meta dhe nga opozita.

Madje, Moses-Ones i ka dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre që kanë sulmuar reformën në drejtësi, qoftë edhe me pretendimet për vakancat që janë krijuar në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese për shkak të procesit të vettingut, pasi sipas saj Vettingu ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave. “Tani një numër i madhe 15% janë rivlerësuar, disa kanë kaluar dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Disa thonë se është problem, por kjo tregon se përse reforma ishte e nevojshme. Sistemi i vjetër ishte i kapur nga korrupsioni dhe ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa, reforma në drejtësi e theu dhe po ua kthen njerëzve”, deklaroi e prerë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të fjalës, e ngarkuara me punë e SHBA deklaroi se mbështetja e SHBA nuk do të mungojë që të çojë këtë reformë deri në fund, pavarësisht pengesave. “Tre vjet më pas kemi një këshill të lartë të prokurorisë dhe gjyqësor dhe po punojnë për të ripërtërirë Gjykatën e Lartë dhe krijimin e SPAK-ut.  Kjo ndërtesë do të i japë KLP-së, KLGJ-së dhe Magjistraturës një shtëpi të re dhe moderne. Do të shohë një Shqipëri më SPAK-un dhe BKH për të çliruar shqiptarët nga krimi dhe korrupsioni. SHBA ka qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime, ne qëndruam krah Shqipërisë dhe po qëndrojmë krah Shqipërisë. Ne po qëndrojmë krah Shqipërisë teksa po ngrihet SPAK-u. Jeni të sigurt, ne do të vijojmë që të qëndrojmë krah Shqipërisë” tha ajo.



Skip to toolbar