Ngjarjet kriminale, Çela: Ka nevojë për angazhim të SPAK

AKTUALITET


Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, foli për vrasjet e fundit që kanë tronditur vendin, duke thënë se prokurorëve iu është kërkuar që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda dhe të bashkëveprojnë me SPAK-un.

“Prokurorët kanë pasur mbështetjen të veprojnë në përputhje me ligjin. Kanë pasur mbështetjen e të gjitha strukturave, jo vetëm të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe strukturave të Policisë së Shtetit. Me gjithë vështirësitë që kemi sot për sa i përket përballimit të ngarkesës, mesazhi që iu është dhënë prokurorive është që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda, ngjarjet që kërkojnë një angazhim të një niveli tjetër. Patjetër në të gjitha rastet e rënda ka nevojë për një bashkëveprim me SPAK për të vlerësuar elementët e krimit të organizuar. Ju siguroj se prokuroria vazhdon të kryejë plotësisht funksionet e veta kushtetuese dhe ligjore”, tha kryeprokurori Çela.Ndërkohë, i pyetur nëse “është gati Shqipëria për ta vënë në gatishmëri hartën e re gjyqësore?”, kryeprokurori Çela u shpreh se “Ka domosdoshmëri për hartën gjyqësore. Nevoja sot është ekstreme, për shkak të reformës në drejtësi që po zbatohet sot, procesit të Vettingut. Kemi një numër gjithnjë e më të paktë të magjistratëve në disa nga gjykatat e prokuroritë kryesore. Te prokuroria problemi është i mprehtë në shumë prej tashmë, ndaj harta është domosdoshmëri për të pritur deri në plotësimin e sistemit me magjistratë. Ndaj kjo është e vetmja zgjidhje. Së dyti, sa i përket infrastrukturës, mendoj se ka opsione për zgjidhje. Mendoj se mund të përballohet në fazën aktuale me përdorimin e godinave, që mund të jenë të disponueshme. Ne do të bashkëpunojmë me KLGJ, apo ministrin e Drejtësisë. Besoj se do të kemi mbështetjen e plotë, që do të sigurohen nevojat e prokurorisë, të paktën në fazën kalimtare, derisa në një plan afatgjatë të vlerësojmë edhe nevojat për ndërtimin e godinave të reja. Këto janë çështje që ngelen për t’u zgjidhur, por e nevojshme në planin afatshkurtër nevojat imediate mendoj se mund të realizohen dhe prokuroritë do të kenë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar detyrën”.



Skip to toolbar