Avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar si dënim me burg të përjetshëm nëse presidenti Meta vendos të shpërndajë parlamentin me kërkesën e tij, që i bëri KQZ për numrin e deputetëve.
“Nëse do të shkarkohet le ta lërë me kaq, nëse do të dënohet me burgim të përjetshëm le të vazhdojë. Nuk ka asnjë pikë në kushtetutë të shpërndajë parlamentin, përveç dy rasteve. Nëse bën një dekret jashtë kompetencave quhet i pavlefshëm dhe nuk e shqyrton askush.” -u shpreh Ngjela për News 24
Për sa i përket nismës së PS për shkarkimin e presidentit, Ngjela tha se ky është një kalvar që zgjat për 3 muaj dhe përgjatë kësaj kohe, Meta do të qëndrojë president.
“35 deputetë duhet të paraqesin kërkesën për shkarkim, parlamenti ia drejton komisionit te ligjeve i cili thërret Presidentin dhe e merr në pyetje, parlamenti mblidhet dhe thërret presidentin në dëgjesë më pas formulon një komision hetimor parlamentar, i cili zgjat deri në 3 muaj dhe thërret Presidentin sa herë të dojë. Komisioni i kthen raportin Kuvendit, i cili e voton me 94 vota. Më pas i shkon gjykatës kushtetuese për verifikim. Nuk ka njeri t’i rezistojë këtij kalvari. Niksoni dha dorëheqjen. Është tre muaj kalvar. Deri sa të vijë votimi në Parlament, Meta është President”- theksoi Ngjela.