Ngjela: Pse Ilir Meta duhet shkarkuar urgjent

OPINION


Nga Spartak Ngjela

Presidenti është në hall. Është i kërcënuar nga reforma në drejtësi dhe po kërkon të shkatërrojë shtetin. Duhet të shkarkohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Bishti i maces së egër duhet prerë me një të rënë, dhe jo pjesë-pjesë. Kështu na kanë thënë teoricienët e mëdhenj të shtetit demokratik në kohët moderne.

l. Presidenti do shkarkohet, por ky nuk është fundi i botës. Nuk mund të jetë më President i Republikës në këtë kohë ky individ i papranueshëm për shqiptarët. Në një proces penal do shkojë, por ai mendon se mund të fitojë gjyqin në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç bëri me dy gjyqtarët e gjykatës së Lartë, kur pushoi çështjen e 700 mijë eurove korrupsion.

Të dy ish gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sapo të fillojë procesi reformues, duhet të shkojnë nën akuzë, për çlirimin e padrejtë nga akuza të Ilir Metës. Kjo është e vërteta.

ll. Meta nuk shpëton dot, sepse është nga krerët e politikës shqiptare që e ka dëmtuar shumë shoqërinë shqiptare. Tani është në fund. Mazhoranca duhet të operojë menjëherë. Gjykatën Kushtetuese, të rizgjedhur nga Kuvendi, e ka përshëndetur politika e lartë amerikanë.

Nga kush mendojnë ta marrin mendimin juridike për këtë çështje institucionet shqiptare?

lll. Kurse mazhoranca socialiste ka gabuar rëndë që nuk e ka shkarkuar deri tani Ilir Metën. Parlamenti duhej ta kishte votuar shkarkimin e tij, sepse ashtu, Meta, do të ishte pa forcë juridike, derisa të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mund të jetë president i shqiptarëve një dekadencë morale si Ilir Meta. Ka dëmtuar dhe po kërkon me çdo mjet të dëmtojë Shqipërinë dhe shqiptarët. I duhet treguar vendi me forcën e shtetit…

Meta tani nuk shpëton dot më nga akuzat për korrupsion. Çështja e tij është një çështje e mbyllur: shqiptarët e duan nën akuzë keqbërësit e tyre shumëvjeçar. Ky është realiteti.

Kurse për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti ka konflikt interesi, dhe, të gjitha shkeljet që po bën, e rëndojnë edhe më shumë në akuzën penale që po i vjen si proces. Presidenti Meta do të shkarkohet. Kjo është sot praktikë e mbyllur, prandaj ai nuk ka çfarë t’i bëjë dot as Shqipërisë, dhe as shqiptarëve.



Skip to toolbar