Nigeria shpërndan për herë të parë vaksinën kundër malaries

BOTA


Vendet afrikane kanë një predispozitë për tu prekur nga malaria e cila ka sjellë jo pak viktima. Një ngjarje më rëndësi në sektorin e shëndetësisë ka ndodhur në Nigeri e cila ka filluar të shpërndajë për herë të parë vaksinat kundër malaries.

Ky vend i Afrikës Perëndimore përbën gati një të tretën e viktimave nga malaria çdo vit. Vaksina që po prezantohet, e quajtur R21/Matrix-M, është vaksina e dytë që është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe po aplikohet tek foshnjat ndërmjet moshës 5-15 muajsh.

Hulumtuesit thonë se ajo është 75% efektive, por ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë përdorimin e saj së bashku me mjete të tjera parandalimi të malaries, si rrjetat kundër mushkonjave dhe insekticidet.

Në vitin 2022, Nigeria përbënte 27% të rasteve globale të malaries dhe 31% të vdekjeve nga malaria, sipas OBSH-së, me fëmijët nën pesë vjeç dhe gratë shtatzëna që janë më të rrezikuarit.

Qeveria vlerëson se Nigeria humbet 1.1 miliard dollarë (870 milionë paund) çdo vit për shkak të humbjes së produktivitetit dhe shpenzimeve shëndetësore të lidhura me malarien.

R21/Matrix-M, e zhvilluar nga Instituti Jenner në Universitetin e Oksfordit, përdor tre doza të administruara në intervale katërjavore dhe një dozë përforcuese që jepet pas një viti. Gjatë këtij viti, edhe Bregu i Fildishtë dhe Republika Demokratike e Kongos kanë filluar përdorimin e vaksinës. /abcnews.al



Skip to toolbar