Skandali i quajtur “Zhvatja”, ku është përfshirë edhe personazhi i medias “Boki 13” ka shkaktuar furtunë në politikën e Maqedonisë së Veriut, ku pas dorëheqjes së prokurores speciale Katica Janeva, nuk kanë munguar akuzat edhe për kryeministrin Zaev.
E hëna ka sjellë zhvillime të forta në Maqedoninë e Veriut, pasi prokurorja Elizabeta Josifovska, e cila është pjesë e prokurorisë speciale dëshmoi për rastin e në fjalë, duke deklaruar se ajo kishte firmosur pasi ishte urdhëruar nga Katica Janeva. Prokurorja Speciale Publike, Elizabeta Josifovska para disa ditësh në publik deklaroi se ajo e kishte firmosur aprovimin që t’i kthehet pasaporta të dyshuarit në rastin “Perandoria”, Orce Kamçev, por se këtë veprim e kishte bërë me urdhër të Katica Janevës. Josifovska thotë se firma për pasaportën e Kamçevit ishte vendim i Janevës dhe se si zëvendëse e saj, ajo ishte e detyruar ta firmosë. “Është vendim i saj i marrë me urdhër të saj, unë e kam nënshkruar atë teknikisht në emrin e saj, ne si ndihmës të prokurores speciale nuk mund t’i ndryshojmë vendimet e saj”, tha Josifovska. Pas Josifovskës, gjatë ditës së nesërme pritet të dëshmoj edhe prokurorja, Lile Stefanova.
Ndërsa të hënën për herë të parë ka ardhur edhe reagimi i Presidentit të Maqedonisë së Veriut, i cili e ka dënuar ashpër skandalin “Zhvatja”, që ka tronditur vendin. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, presidenti Stevo Pendarovski kërkoi një hetim të plotë, të menjëhershëm dhe efektiv. “Revolta e qytetarëve është e madhe. Unë si president, por edhe si qytetar i këtij shteti jam i dëshpëruar për atë që ka ndodhur. Ndaj kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes, ndjekjen penale të të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë çështje, qofshin funksionarë politikë, pavarësisht nëse janë në pushtet apo në opozitë. Premtoj mbështetjen e plotë të institucioneve përkatëse që kjo çështje të marrë verdiktin e duhur gjyqësor. Si president do të bëj çmos që këto institucione t’i mbroj nga presionet e mundshme. Vetëm përmes një epilogu të drejtë mund të kthejmë besimin tek qytetarët. Nuk ka shtet të se drejtës në rast se pushteti ndjek vetëm kriminelët e qeverisë së kaluar duke anashkaluar kriminelët e kësaj qeverie”, tha Pendarovski.
Kreu i shtetit tha gjithashtu se ndihet i zhgënjyer nga ato që ka dëgjuar në videopërgjimet e publikuara nga gazeta italiane “La Verita”. Sipas presidentit, prokuroria speciale nuk mund të njolloset për shkak të veprimeve të një personi dhe skandali “Zhvatja” nuk mund të bëhet pengesë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.
Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk gjen qetësi, pasi paralajmërohet se në dritë do të dalin të tjera detaje. Këtë lajm e ka dhënë gazetari italian, Larsi Gajser, i cili publikoi me video superskandalin, në të cilin thuhet se janë përfshirë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut. Gazetari Gajser ka paralajmëruar se të martën do të publikojë fakte të reja për këtë rast. “Maqedonia: Nesër 13 gusht, prej orës 11:00, në Raido Kapodistrija. Do të kyçem brenda me faktet drejtpërdrejt në studio”, njofton Gajser, përmes rrjeteve sociale. Ndërsa Zaev, i cili më herët ka deklaruar se nuk ka lidhjet me rastin “Zhvatja” ka reaguar sërish të hënën, duke kërkuar hetim sa më të shpejtë të kësaj çështjeje.