Në Gjykatën e Shkodrës është ndërprerë seanca e parë gjyqësore për ish-deputetin e PD, Bardh Spahia, pasi policia “ka harruar” ta shoqërojë atë nga shtëpia në gjykatë në orarin e caktuar, ndërsa ai e ka të ndaluar të dalë nga banesa për shkak të masës së sigurisë së dhënë ndaj tij.
Në seancë ishin avokatët e ish-deputetit demokrat, Ivi Kaso dhe Ledio Nuraj, prokurori Besim Ndragjoshi dhe relatorja Marina Rrabashta. Më herët avokatët mbrojtës deklaruan se Bardh Spahia ka informacion për seancën, por ai nuk është prezent. Në këto kushte, gjykata ka ndërprerë seancën që të marrë informacion nga Drejtoria e Policisë së Tiranës nëse Spahia po shoqërohet drejt Shkodrës, ku po zhvillohet gjyqi, apo nuk është marrë nga shtëpia.
Pala mbrojtëse e ish-deputetit ka prokurë nga familjaret e Bardh Spahisë, e po ashtu edhe ai vetë ka deklaruar që edhe në mungesë të mbrohet nga avokatët Ivi Kaso dhe Ledi Nurja.
Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia u arrestua pas sulmeve që disa militantë të opozitës kryen ndaj shkollës Shenjaze Uka, i cila shërbente si KZAZ për materialet zgjedhore të 30 qershorit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Rendit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore”.
Mbrëmjen e 18 qershorit disa militantë të PD bashkë me të cilët ishte dhe ish-deputeti demokrat sulmuan KZAZ nr.3 në Shkodër duke thyer xhamat e saj dhe më pas i kanë vënë flakën me benzinë. Përplasjet vijuan për disa momente dhe u desh ndërhyrja e policisë dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar situatën e tensionuar.