OSHEE ka nisur të instalojë matësa të energjisë elektrike “smart” ose inteligjentë, që do të printojnë në çast faturën e energjisë, risi kjo, që sipas Ministres së Energjisë, Belinda Balluku do të shmangë abuzimet.
Instalimet e para kanë nisur në zonën Kashar-Vorë. Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjent, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore. Instalimi i këtyre matësave bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.
Procesi i instalimit të këtyre matësave u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij. Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, i cili në zonën e Durrësit, Vorës dhe Kasharit po aplikohet është cilësuar nga ministrja Balluku si një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.
“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësave inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, u shpreh Balluku. Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi kështu Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.