Nisin hetimet për Metën. Alket Hyseni dhe Halit Valteri zgjidhen relatorë

AKTUALITET


Është zhvilluar mesditën e së enjtes mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në këtë mbledhje deputetja Klotilda Bushka u caktua si sekretare e komisionit, ndërsa dy deputetët Alket Hyseni dhe Halit Valteri u zgjodhën si relatorë. Dy relatorët do të përgatisin projekt rregulloren dhe planin paraprak të punës së komisionit në mbledhjen e ardhshme.

Në fjalën e tij kreu i komisionit Ulsi Manja bëri të ditur se qëllimi kryesor i komisionit është shkarkimi i presidentit Meta për shkak se me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ka tejkaluar kompetencat që i njeh Kushtetuta.

“Qëllimi i ngritjes së tij është i njohur, unë po shfrytëzoj rastin dhe po lexoj vendimin e kuvendit të Shqipërisë: Ky komision hetimor ka për qëllim të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Ky komision ka për detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga presidenti i Republikës, të verifikojë pasoja e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera. Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij konstatohet se sjellja e tij në lidhje me procedurat e ndjekura, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra. Ky komision referuar saktësisht vendimit 84, për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë për t’i paraqitur Kuvendit një raport përfundimtar. Ky është edhe deklarimi i komisionit hetimor i përcaktuar në vendimin dhe komisioni është i detyruar t’i rrijë strikt”, tha Manja.

Ndërsa nënkryetari i Komisionit Hetimor Alban Zeneli kërkoi që ky komision të mos ketë fatin e keq që kanë pasur në të kaluarën komisionet hetimore në Shqipëri që nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

“Ajo që unë dua të them se në nder të këtij komisioni është se e di shumë mirë përvojën e komisioneve të tre viteve të fundit. Duhet të jemi korrekt dhe jo të bashkohemi me dështimet e 3 viteve të fundit. Në përfundim të këtij komisioni do ketë një raport dhe në përfundim të tij dhe do jetë përfundimi nëse do i ndërpritet mandati presidentit apo do të vazhdojë punën. Duhet të jemi të gjithë transparentë”, tha Zeneli.

Ndërsa deputeti Bashkim Fino sqaroi se atë që Meta e quan dekret në të vërtetë është një letër presidenciale pa asnjë fuqi ligjore.

“Kam një konstatim për të bërë. Letra e presidentit që ai e quan dekret për anulimin e zgjedhjeve u zhvlerësua nga KQZ.  Nuk ka deri më sot asnjë perifrazim nga ana e juristëve të PD për këtë dekret. Ajo letër presidenciale duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Qoftë PD apo LSI kanë gënjyer veten. Asnjëri nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Ky komision e nis punën pa asnjë ankimim. Jam i bindur se nuk do ketë ankim as për 13 tetorin. Ky komision është i rrallë”, tha Fino.

Gjatë muajit korrik komisioni hetimor do të zhvillojë 3 ose 4 mbledhje të tjera.

Ngritja e Komisionit Hetimor u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës së të hënës me 101 vota pro dhe 6 kundër. 55 deputetë kërkuan shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij  9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.



Skip to toolbar