“Një dritë në ditët më të errëta të Shqipërisë”, çfarë shkruajnë mediat e huaja për Kadarenë

AKTUALITET


Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare, nga një atak në zemër. Autor i veprave të shumta, të përkthyera në shumë gjuhë dhe të botuara në shumë vende të botës, Kadare është nominuar disa herë për çmimin Nobel për letërsinë.

Në vitin 2009 ai u nderua me çmimin prestigjioz Princi i Asturias, ndërsa çmime të tjera ndërkombëtare i janë dhënë ndër vite. E fundit daton në tetor të vitit 2023, kur në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron e emëroi atë Oficer të Madh të Legjionit të Nderit, një nga nderimet më të larta të dhëna nga Franca, vendi ku Kadare kërkoi azil politik në 1990. Një akt që shënoi një goditje të rëndë për regjimin komunist të Shqipërisë, përpara rënies së tij pak më pas.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur jo vetëm opinionin shqiptar, por të shumtë kanë qenë dhe mediat e huaja, të cilat kanë shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, nga ato franceze, angleze, italiane dhe greke.

Ismail Kadare: Një dritë e ndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë, është ky titulli i “France 24”.

“Romancieri Ismail Kadare, i cili vdiq në moshën 88 vjeçare  përdori stilolapsin e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha”, thuhet në artikull.

Gazeta franceze “Le Monde” e ka krahasuar kolosin shqiptare me George Orëell dhe Franz Kafkën, i cili përdori metaforën dhe ironinë për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Enver Hoxhën, që sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.

“Vdes në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare”, ky ishte titulli i Associated Press, duke i kushtuar një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.

“Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe”, e nis shkrimin “The Guardian”.

“Tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik. Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar që eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vjet, ka vdekur në moshën 88-vjeçare”, shkruan prestigjiozja britanike.

Për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare kanë shkruar edhe mediat greke dhe italiane.

“Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare”, shkruan Ansa, e cila i ka kushtuar një artikull shkrimtarit, duke përmendur edhe çmimet e tij.

“Ismail Kadare: Vdes shkrimtari shqiptar”, e titullon artikullin Protothema, e cila shkruan: “Shkrimtari më i shquar modern shqiptar, Kadare i cili i rezistoi regjimit të Enver Hoxhës, pësoi një atak në zemër dhe vdiq në moshën 88-vjeçare”.



Skip to toolbar