Një muaj nga tërmeti, gjurmët e tragjedisë në Durrës e Thumanë

AKTUALITET


Sot shënohet një muaj nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, që tronditi Shqipërinë në orën 03:54 minuta duke lëkundur tokën me një magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha njerëzore duke lënë pas 51 viktima, rreth 1000 të plagosur dhe dëme të jashtëzakonshme materiale, ku shumë objekte, banesa e pallate u shembën e u dëmtuan rëndë.

Një muaj pas tërmetit është ende duke u bërë bilanci i dëmeve të shkaktuara, ndërsa të prekurit janë akomoduar nëpër hotele, banesa sociale dhe çadra. Shumë ndërtesa u prishën dhe rrënojat e tyre u hoqën në një kohë të shkurtër, por gjurmët e tërmetit vijojnë ende të jenë të gjalla sidomos në Durrës dhe Thumanë, si zonat më të prekura.

Me hetimet e nisura, deri më tani ka rezultuar se pasojat më fatale u shkaktuan si pasojë e gabimeve njerëzore dhe abuzimit me ndërtimet me strukturë të dobët. Në programin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti, qeveria ka deklaruar se do të ndërtojë lagje të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, së bashku me infrastrukturën shoqëruese (shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nën-tokësore) në këto lagje të reja. Ende nuk ka një faturë të dëmeve, por pritet të jetë gati më 16 janar 2020 që do të shoqërohet më pas me një konferencë të donatorëve që do të kontribuojnë në rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit.



Skip to toolbar