BE donte të tregonte se i menaxhon edhe dy konflikte të rënda: sulmet e rënda terroriste të Hamasit militant-islamik kundër Izraelit dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Por krerët e shteteve dhe qeverive të BE e kishin të vështirë të gjenin qëndrime të përbashkëta për të dyja vatrat e krizës. Të premten (27.10.) fokusi ishte përqëndruar tek Ukraina. Presidenti i Këshillit të BE Charles Michel edhe njëherë siguroi. “Ne e përsërisim, mbështetja jonë për Ukrainën mbetet e patundur për sa kohë është e nevojshme.”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk mori personalisht pjesë në samit, por përmes videos. Sipas Michel, kriza në Lindjen e Mesme nuk na heq vëmendjen nga kërcënimi që paraqet Rusia për BE. Gjermania i ka siguruar Ukrainës në tre javët e fundit, se “mbështetja nuk do të bjerë”, megjithë sulmet e tmerrshme të Hamasit, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Orban dhe Fico frenojnë ndhmat për Ukrainën
Kritika pati ndaj kryeministrit hungarez, Vikotr Orban që javën e kaluar takoi agresorin rus, Vladimir Putin në një samit ekonomik në Pekin dhe i dha dorën miqësisht. Orban konsiderohet mes shumë diplomatëve si lloj nëndetësjeje e Putinit në Bashkimin Europian, edhe për shkak se Hungaria vazhdon të mbajë lidhje të mira ekonomike me kundërshtaren e Ukrainës, Rusinë.
Orban së bashku me kryeministrin e sapozgjedhur të Sllovakisë, Robert Fico i shkaktojnë shqetësime Brukselit. Të dy populistët vunë në pikëpyetje financimin e ndihmave të tjera buxhetore për Ukrainën në vlerë 50 miliardë euro. Të dy e refuzuan propozimin, që të ketë një fond shtesë të gatshëm 20 miliardë euro për furnizimin me armë të Ukrainës. Mosdakordimi për Ukrainën bëri që kuadri disavjetor i buxhetit të BE nuk u përshtat me krizat e shumta të viteve të fundit. Grindja buxhetore pritet të marrë fund në dhjetor.
Pozicioni gjerman është i pandryshuar: ndihmat shtesë për Ukrainën dhe migracionin duhet të gjenden përmes rishpërndarjes së brendshme në buxhet. Berlini nuk do të japë financime shtesë. KE kërkon deri në vitin 2027 65 miliardë euro shtesë për shpenzimet e reja. Gjermania si donatorja më e madhe neto e BE duhet të merrte përsipër 25% të shumës. Charles Michel e paraqiti debatin për ndihmat ndaj Ukrainës si procedurë normale. “Ky është i njëjti ushtrim gjithmonë. Ne takohemi. Ne grindemi dhe në fund jemi prapë të bashkuar.” Buxheti i BE duhet të miratohet unanimisht.
Presidenti francez kritikon Izraelin
Korridoret humanitare, ndalimi i shkëmbimit të zjarrit dhe një konferencë ndërkombëtare e paqes, që samiti i BE kërkoi të premten (27.10.) pas diskutimesh të gjata në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit terrorist-islamit, ishin lëndë për debate të reja. Presidenti francez, Emmanuel Macron që kishte propozuar një konferencë të paqes, bëri të ditur themelimin e një “aleance humanitare” me Greqinë dhe Qipron për të furnizuar popullsinë në Rripin e Gazës. Izraeli vazhdon bombardimet pas sulmeve terroriste më 7 tetor të Hamasit,që kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe. Popullsisë në Rripin e Gazës i është kërkuar të largohet nga veriu i Rripit të Gazës 30 kilometra i gjatë, por mundësitë për largim janë të kufizuara. Kombet e Bashkuara e cilësojnë gjendjen në Rripin e Gazës të rrethuar ndërkohë si katastrofike. Macron kritikoi para gazetarëve në Bruksel sulmet ajrore si “të padiferencuara” dhe kërkoi sërish armëpushim.
Scholz në krah të Izraelit
Kancelari gjerman, Olaf Scholz i qëndroi deklaratave të mëparshme, se Izraeli ka të drejtën të mbrohet. Kjo duhet të bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Ai beson, se Izraeli do ta respektojë këtë. Pozicioni i përbashkët i BE është “shumë, shumë i vlefshëm”, tha Scholz, pa komentuar qëndrimin e presidentit francez.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez nuk ia doli të bindte të gjithë vendet e BE me kërkesën e tij për një armëpushim zyrtar. Kryeministri irlandez, Leo Varadkar u shpreh se atmosfera e krijuar në favor të Izraelit pas sulmeve terroriste të Hamasit, ndryshon ngadalë për shkak të veprimit të Izraelit në Rripin e Gazës. Kancelari, Olaf Scholz nuk e mbështeti këtë qëndrim. “Unë e shoh të pandryshuar që ka një mbështetje të gjerë për politikën nga qeveritë dhe vendet europiane, të veprohet përgjatë qëndrimit që kemi përcaktuar tani.” Izraeli mbrohet kundër një sulmi. Qëndrimi i qytetareve dhe qytetarëve për këtë nu ka ndryshuar. Një diplomate izraelitë tha për DW pas samitit, se vendimet e BE nuk do të kenë ndonjë ndikim atje. Izraeli nuk lejon që t’i kërkohen as pauza dhe armëpushim. Një gjë e tillë nuk mund të ketë, sepse lufta kundër strukturave të Hamasit në tokë nuk ka filluar ende.
“BE kërkon lirimin e menjëhershëm të pengjeve”
BE iu drejtua me një thirrje Hamasit të lirojë menjëherë 200 pengjet e marra. Kryetari i qeverisë së Luksemburgut në largim, Xavier Bettel kujtoi, se edhe popullsia palestineze në Rripin e Gazës duhet të shikohet si peng. Ajo përdoret si mburojë njerëzore nga Hamasi, gjë që është e ndaluar në të drejtën e luftës. “Ne duhet të kemi kujdes të mos e përziejmë Hamasin dhe palestinezët. Hamasi i mban palestinezët si peng në moment, ky është fakt”, tha Bettel. Kryeministri i Luksemburgut në largim, tha se mësimi i tij pas 10 vitesh në post, është se BE gjithmonë ia ka dalë që të mposhtë të gjitha krizat, por duke qenë e bashkuar. Në politikën e jashtme kjo është më e vështirë. Këtu megjithë fuqinë ekonomike, BE ka probleme të ushtrojë influencën e saj. “Ne jemi të mëdhenj, por veprojmë si të vegjël.” Ndërkohë që BE duhet “të përzihet për të mënjanuar shkallëzimin”, tha Xavier Bettel./dw