Në mënyrë të papritur, Kosova dhe Serbia firmosën të hënën marrëveshjen që i hap rrugë linjës ajrore që do të lidhë Prishtinën me Beogradin. Marrëveshja u nënshkrua me ndërmjetësimin direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Konkretisht, i dërguari i Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell ishte ai që “pajtoi” palët. Për këtë ngjarje reagoi dhe vetë Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili lë të kuptohet se është i përditësuar me zhvillimet në rajon, dhe ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Trump e quajti “një tjetër fitore”, ndërsa shpreh falënderimin për ambasdorët Robert O`Brien dhe Richard Grenell. “Të gjithë thanë se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Ambasdorit Robert O`Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, shkruan Donald Trump.
Linja ajrore e kompanisë “Luthansa” do të jetë ajo që do të lidhë direkt Prishtinën dhe Beogradin. Vendosja e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit u përshëndet nga klasa politike e Kosovës, që ka shpallur “tradhtar” Edi Ramën për iniciativën e krijimit të “Mini-Shengenit Ballkanik”. Por, në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për fluturimet direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, politika kosovare nuk ka shpallur asnjë “armik”.