Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka dërguar dosjen ‘Bajri’ në Prokurorinë e Shkodrës pasi ka konstatuar se nuk është kompetencë e SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se për të akuzuarit Safet Bajri, Ilir Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Emrah Plaku, Enver Bajri ka rënë akuza e grupit të strukturuar e grupit kriminal dhe do të hetohen tashmë në Prokurorinë e Shkodrës. Enver dhe Behar Bajri u përfaqësuan nga avokati Alban Bengasi ndërkohë Safet Bajri, Ilir Bajri, Astmer Bilali,Ismet Idrizi dhe Emrah Plaku janë përfaqësuar nga avokati Arbër Hoxhaj.
Më 22 shtator të 2018 11 persona u arrestuan në kuadër të Operacionit ‘OAZ’ ndër të cilët edhe Safer dhe Enver Bajri.
Fillimisht ata akuzoheshin për një sërë veprash penale si “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, të gjitha këto të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Grupi akuzohej për dy vrasje, njëra në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.
Si dhë për një kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shumë parash.
Safet Bajri u arrestua në Tiranë në 2018 kurse Behar Bajri dhe Samet Halluni u arrestuan në Holandë dhe u ekstradua në Shqipëri. Mes të arrestuarve ishin dhe dy figura shumë të shquara të sportit shqiptar, ish- portieri i Vllaznisë Armir Grimaj i cili u lirua për mungesë provash si dhe ish- kampioni i boksit Astmer Bilali i cili vijon të mbetet në qeli.
Fillimisht pas arrestimeve në 2018 Gjykata e Shkodrës dha masat e arrestit me burg dhe menjëherë dosja i kaloi ish- Prokurorisë së Krimeve të Rënda , një hetim i cili zgjati më pak se dy vite por që do të vijojë tani në Shkodër. Seancat për grupin Bajri janë shtyrë vazhdimisht për shkak të problemeve të disa prej të akuzuarve me një nga gjyqtaret e çështjes.