Zëvendëspresidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara JD Vance ka thënë se njerëzit përgjegjës për dhunën në trazirat e Kapitolit nuk duhet të falën.
Deklaratat e Vance vijnë pasi presidenti i ardhshëm Donald Trump ka përsëritur se do të falë ata që protestuan për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai i humbi. Megjithatë, në konferencën e fundit në Mar a Lago, Trump bëri hap pas dhe pranoi se disa veprime ishin shumë radikale për t’u falur. Në një intervistë për “Fox News Sunday” Vance këmbënguli se pyetja se kush do të falet është shumë e thjeshtë: ata që “protestuan në mënyrë paqësore” duhet të falen dhe “ata që ushtruan dhunë jo”, duke pranuar se në disa raste ka një “zonë gri”.
Më vonë në një postim në X, Vance iu përgjigj kritikave nga mbështetësit e rebelëve të Kapitolit se qëndrimi i tij nuk shkoi aq larg sa për të liruar të gjithë të dënuarit.
“Unë i kam mbrojtur këta njerëz për vite. Presidenti thotë se do të shikojë çdo rast (dhe unë them të njëjtën gjë) nuk është një kthim prapa. Ju siguroj, ne kujdesemi për njerëzit e dënuar padrejtësisht. Po, kjo përfshin njerëz të provokuar dhe përfshin njerëz që patën një gjyq të padrejtë.” – u shpreh ai.
Më shumë se 1,500 njerëz janë akuzuar për krime federale në lidhje me trazirat që lanë më shumë se 100 oficerë policie të plagosur, gjatë procedurës për certifikimin e fitores së Joe Biden në vitin 2021..
Qindra persona që nuk u përfshinë në shkatërrime apo dhunë u akuzuan vetëm për kundërvajtje për hyrje të paligjshme në Kapitol. Të tjerët u akuzuan për vepra të rënda penale, duke përfshirë dhunë ndaj oficerëve të policisë.