Dajti në “Bllok”, hetim dhe policëve

AKTUALITET


Efektivët që nxorën nga qelia Dritan Dajtin duke e sjellë atë në Tiranë në zonën e ish-Bllokut për kryer një vizitë te dentisti, janë kallëzuar për shpërdorim detyre nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Sipas SHKBB efektivët nuk kanë zbatuar rregullat e shoqërimit si edhe nuk kanë vlerësuar si duhet situatën, ndaj edhe për këtë arsye ka kallëzuar ata për shpërdorim të detyrës.

SHKBB thotë se njoftimi i lëvizjes së të dënuarit, është kryer me sms në sallën operative dhe nuk është vënë në dijeni drejtori i Burgjeve. Gjithashtu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve vlerëson se për rastin në fjalë duhej të ishte bërë një analizë risku për situatën si edhe të verifikohej mirë situata e të dënuarit Dritan Dajti.

Sipas SHKBB i dënuarit Dajti duhej të dërgohej në spitale shtetërore pranë burgut, ndërsa nga ana e policisë të kallëzuar mungon vendimi i arsyetuar për lëvizjen e tij.

Për këtë ngjarje vetëm pak ditë më herët Ministria e Drejtësisë shkarkoi nga detyra drejtorin e Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorin e burgit të Peqinit, Emin Shpata si dhe shefin e Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici, të akuzuar për shkelje të rënda. Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i burgut të Peqinit, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Në vendimin e marrë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se strukturat drejtuese dhe të kujdesit shëndetësor në burgun e Peqinit si dhe strukturat shëndetësore e policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme për vlerësimin e kërkesës së të dënuarit për kontrolle mjekësore jashtë institucionit të burgjeve.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie.



Skip to toolbar